Gramsh, flakët përfshijnë vatra të reja, dëme të mëdha në banesa dhe blegtori

0

Rreziku nga zjarret në Gramsh është zhvendosur nga mbrëmja e kaluar në vatra të reja, duke përfshirë fshatin Ermenj, në Njësinë Administrative Skënderbegas, si dhe Teqen e Dushkut, ku raportohen disa vatra aktive. Për shkak të dendësisë së lartë të pyllit, ekipet e emergjencave civile po përballen me vështirësi të mëdha në izolimin e flakëve.

Aktualisht vazhdon te digjet pylli ne pjesen e siperme te fshatit ose krahu lindor. Nese djegia vazhdon ky zjarr kalon ne territorin e Prefektures Korce.

Gjate oreve te vona te mbremjes se djeshme dhe sot heret ne mengjes eshte punuar ne pyllin me pisha qe te con ne drejtim te fshatit Narte, dhe deri tani eshte realizuar nderprerja e vatres ne kete drejtim.

Vatra e zjarrit në Njësinë Administrative Kukur vijon të mbetet problematike. Gjatë orëve të vona të natës, ekipet e emergjencës arritën të mbajnë nën kontroll një pjesë të saj, e cila rrezikonte përhapjen e flakëve në zona të tjera.

Ndërkohë, vatra në Njësinë Administrative Kodovjat është mbajtur nën monitorim dhe nuk janë shënuar riaktivizime gjatë orëve të fundit.

Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë djegur 42 banesa në Skënderbegas dhe fshatra të tjerë, si dhe 130 krerë bagëti të imta, 22 gjedhë, 1 thundrak, 80 koshere bletësh dhe shumë shpendë. Autoritetet kanë nisur procesin e groposjes së kafshëve të ngordhura për të shmangur rrezikun e shpërthimit të ndonjë epidemie, ndërsa shërbimi veterinar po kryen procesverbalet përkatëse.

Numri i personave të evakuuar është rritur në 46, pasi mbrëmë u akomoduan edhe 6 persona të tjerë në konviktin shtetëror, përveç 40 të evakuuarve një ditë më parë.

Në terren janë angazhuar rreth 50 forca të ushtrisë, 7 mjete zjarrfikëse dhe 200 vullnetarë. Bilanci paraprak tregon se rreth 10 fshatra janë prekur nga flakët në territorin e Gramshit, ndërsa në Bletëz dhe Shëmbërdhenj nuk ka mbetur asgjë pas.

Autoritetet lokale dhe qendrore apeluan për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim nga banorët, ndërsa operacionet për shuarjen e zjarreve do të vijojnë gjatë gjithë ditës.