Festivali i 33-të i Këngës për Fëmijë në qytetin e Gramshit u shndërrua në një udhëtim të ndritshëm mes artit, traditës dhe ëndrrave të pastërta fëmijërore.Skena u mbush me zëra të kristaltë dhe emocione të sinqerta, duke na rikujtuar se arti është më i bukur kur buron nga zemra.
Ana dha urimin më të ëmbël me “Gëzuar Ditëlindjen”, Serena solli hijeshinë e lules, ndërsa Arisa dhe Abigel shpalosën aromën e pranverës në skenë. Këngët për prindërit, për mësuesen e parë, për gjyshen e mirë dhe për muzikën krijuan një mozaik emocionesh të pastër e të paharrueshëm.
Kërcimet e fëmijëve ishin një tjetër perlë e mbrëmjes, të mbushura me elegancë, siguri dhe një energji të sinqertë që ndezi atmosferën. Një moment i veçantë ishte shfaqja e fëmijëve të Prrenjasit, të cilët sollën në skenë thesarët tanë folklorikë ,Vallja e Rrajcës dhe Xinxifilja ,me kostume tradicionale, ritme autentike dhe një interpretim që rrëmbeu duartrokitje të merituara.
Organizatorët vlerësuan të vegjëlit për emocionet e përcjella , përkushtimin dhe talentin e tyre.
Kulmi i mbrëmjes erdhi me shpalljen e këngës fituese: “VERA”, krijim plot ritëm, gjallëri dhe atmosferë verore. Me tekst të Leidi Shqiponjës, muzikë të Dritan Lumshit dhe orkestrimin e Endri Shanit, kënga u interpretua me shpirt nga kori i fëmijëve, duke ndezur sallën në entuziazëm e duartrokitje.
Infoweb Media





