“A nuk mjaftoi vera e kaluar?’’ Zjarrëfiksja e Gramshit APEL qytetarëve pas flakëve që përfshinë Koshnicën: Mos digjni mbetje!

0

Një zjarr ka përfshirë këtë të shtunë malin e Koshnicës në Skënderbegas, në Gramsh.

Flakët kanë djegur një sipërfaqe pyjore, ndërsa forcat zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe pas disa orësh pune kanë arritur ta vënë situatën nën kontroll.

Zjarrfikësja e Gramshit u ka bërë apel banorëve të fshatit Skënderbegas të tregojnë kujdes maksimal, duke kujtuar situatën e rëndë të verës së kaluar, kur u dogjën disa banesa dhe sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.

“A nuk mjaftoi vera e kaluar?! Shtëpi të djegura… pyje të shkrumbuara… pasuri të humbura në pak minuta! Sot, historia rrezikoi të përsëritej. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimit zjarrfikës, zjarri u ndal në kohë. Një shkëndijë mjafton, një pakujdesi djeg gjithçka. Mos ndizni zjarr në natyrë, mos digjni mbetje. Mos rrezikoni jetën dhe pasurinë e të gjithëve! Kjo është një thirrje urgjente për çdo banor të njësisë administrative Skënderbegas: Tregoni kujdes maksimal! Sepse zjarri nuk fal,”thuhet në reagimin e zjarrfikëses.