Rreth orës 23:20 të ditës së djeshme, një aksident ka ndodhur në vendin e njohur si “Bishti i zhurit”, Rrogozhinë,si pasojë një person ka humbur jetën.
Mjeti i viktimës Arjan Fresko, 46-vjeçar, ka dalë nga rruga pas përplasjes me trafikndarësen.
Mësohet se ai ishte duke lëvizur me mjetin e tij nga Durrësi për në Jug të vendit, i vetëm, kur ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Fesko ka qenë biznesmen në fushën e transporteve, pasi kishte një shoqëri që transportonte persona dhe mallra nga Anglia drejt Shqipërisë.
Burimet saktësojnë se shkak për aksidentin e rëndë ka qenë shpejtësia me të cilin mjeti që drejtohej nga 46-vjeçari po udhëtonte, lagështira në rrugë, por edhe errësira në zonë, që për viktimën nuk ishte e njohur.
Makina me të cilën Fesko po udhëtonte ka pësuar dëme të mëdha si pasojë e përplasjes, ndërsa trupi i tij ka mbetur për disa minuta i bllokuar brenda mjetit, deri sa kanë mbërritur zjarrfikësit për nxjerrjen e tij.
Njoftimi i Policisë për aksidentin: Me datë 29.12.2020, rreth orës 23:20, në vendin e quajtur “Bishti i zhurit”, mjeti me drejtues shtetasin A.F., ka dalë nga rruga. Si pasojë e daljes nga rruga ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i mjetit shtetasi A.F., 46 vjeç.