ANALIZA/ Izraeli dhe Palestina: Si do të arrihet paqja?

0

A dini ndonjë rast të ngjashëm,të cilit i është kushtuar shumë kohë dhe përpjekje për arritjen e paqes, dhe që ka pasur shumë pak efekt? Amerika nisi ndërmjetësimin e bisedimeve midis izraelitëve dhe palestinezëve 3 dekada më parë. Por Toka e Shenjtë mbetet e kontestuar nga dy popuj që nuk mund ta bindin veten të jetojnë bashkë.

Luftimet e majit, që shkaktuan vdekjen e 242 palestinezëve dhe 10 izraelitëve, nuk arritën asgjë tjetër përveçse pastrimit të terrenit për raundin tjetër të luftimeve. Procesi i paqes sipas Marrëveshjeve të Oslos të vitit 1993, synon krijimin e 2 shteteve të cilët bien dakord që të mos bien dakord, duke përdorur shkëmbime territoriale, garanci të sigurisë, një marrëveshje për të ndarë më dysh Jeruzalemin, dhe një “të drejtë rikthimi” të kufizuar për palestinezët. Çmimi për Izraelin do të ishte një demokraci e lulëzuar dhe një vend i shenjtë për hebrenjtë; ndërsa për palestinezët realizimi i premtimit për vetë-qeverisje.

Hera-herës paqja ka qenë shumë pranë, për t’u shkatërruar më pas gjithçka për shkak të ndëshkimeve reciproke. Por sot, në vend që të jetë një rrugë për paqen, “procesi” me dy shtete po e bllokon rrugën drejt saj. Që të gjithë pretendojnë se paqja është ende në rendin e ditës, kur në fakt nuk është kështu.

Ajo është një formulë për grindje të mëtejshme. Gati gjithçka që ka rëndësi mund të shtyhet, me premtimin se një ditë do të zgjidhet përmes një marrëveshje që është vazhdimisht në horizont.

Por ajo është gjithashtu një formulë që çon drejt ekzistencës së një shteti të vetëm. Ideja që një zgjidhje me 2 shtete është e dëmshme, nuk përbën një lajm për palestinezët. Nën të, ka lindur vizioni i një Palestine të pavarur fqinje, të një shteti funksional.

Territori palestinez në Bregun Perëndimor është një arkipelag në një “det vendbanimesh” izraelite në zgjerim, që sipas ligjit ndërkombëtar janë të paligjshme. Gaza është një ishull i vetmuar, i izoluar nga një bllokadë izraelite dhe egjiptiane. Autoriteti Palestinez supozohej të ishte një qeveri në pritje.

Palestinezët e rinj, e shohin atë si agjent të pushtimit të Izraelit, ndërsa lavdërojnë Hamasin, grupimin e dhunshëm islamik që sundon Gazën, për shkak të rezistencën ndaj Izraelit.

Në vend të projektit me 2 shtete, vizioni i ri palestinez është të kërkojë të drejtat individuale në një shtet.

Ata që jetojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor,e urrejnë faktin që kanë nevojë për lejen e Izraelit (shpeshherë të ndaluar) që të shkojnë të shohin familjet e tyre. Luftimet e fundit u nxitën nga një mosmarrëveshje mbi disa prona në Jeruzalemin Lindor, ku shumica e palestinezëve janë thjesht “banorë”.

Edhe arabët izraelitë që ankohen për pabarazitë, u ngritën në protestë gjatë luftimeve në Gaza. Kjo e vendos Izraelin në një pozitë të vështirë. Ky vend ka lulëzuar nën Marrëveshjet e Oslos. PBB-ja për frymë është rritur me mbi 50 për qind gjatë 30 viteve të fundit.

Sistemi i mbrojtjes nga raketat “Iron Dome” e mbron atë nga sulmet e Hamasit. Një udhëheqje e përçarë dhe e dobët palestineze i përshtatet kryeministri izraelit Binyamin Netanyahu, që nuk ka shumë interes se çfarë ndodh me palestinezët.

Dhe nuk është vetëm ai:konflikti nuk u diskutua shumë në asnjë nga 4 palë zgjedhjet që Izraeli ka mbajtur që nga viti 2019. Por kjo qasje nuk mund të zgjasë edhe për shumë kohë. Marrëveshjet e Oslos i japin mundësi Izraelit të pretendojë se pushtimi do të zhbëhet përmes një marrëveshje përfundimtare.

Si një pushtet i përkohshëm, ai nuk ka asnjë detyrim që të garantojë të drejta të plota në Bregun Perëndimor. Por 54 vjet pas Luftës Gjashtë ditore, ideja e një pushtimi të përkohshëm është gjithmonë e më e pakuptimtë. Pa asnjë shpresë për një marrëveshje paqeje, kritikët e Izraelit kanë filluar që të flasin për “realitetin e një shteti”.

Kjo e sfidon jo pak Izraelin. Pasi Toka e Shenjtë ka po aq hebrenj sa edhe palestinezë. Ndaj ajo nuk mund të mbetet hebreje dhe demokratike në një kohë që e kontrollon përgjithmonë gjithë atë territor. Shumë kritikë të politikës izraelite, përfshirë disa hebrenj liberalë, e krahasojnë tani me Aparteidin trajtimin që u bëjnë izraelitët palestinezëve.

Kërkesa e këtyre të fundit për të respektuar të drejtat tyre minimale po mbështetet jashtë vendit, dhe jo më pak në sallat e Kongresit Amerikan. Duke e rreshtuar Izraelin me Partinë Republikane në SHBA, Netanyahu ka ndihmuar që palestinezët të bëhen pjesë e luftërave kulturore në Amerikë.

Progresistët në Partinë Demokratike kanë filluar të thonë se çështja palestinezët ka rëndësinë e saj. Amerika është aleati më i rëndësishëm i Izraelit. Është e vërtetë që ndihma amerikane ka sot më pak rëndësi sesa dikur, pasi Izraeli i prodhon tashmë vetë shumicën e armëve të tij të përparuara.

Ai ka marrëdhënie më shumë vende, përfshirë fqinjët e tij arabë përmes Marrëveshjeve të Abrahamit. Megjithatë nëse largohet nga Evropa dhe Amerika, drejt vendeve si Rusia, Kina dhe India populiste, kjo do të përbënte një goditje për Izraelin si një ideal perëndimor, liberal dhe demokratik.

Më e rëndësishme, qasja “kundër çdo lloj zgjidhjeje”e Netanyahut, e lë vendin e tij më pak të aftë se kurrë më parë për të pasur një të ardhme me palestinezët. Përqafimi prej tij i së djathtës ekstreme hebraike, i bën më të mundshme shpërthimet e dhunës.

Muri që ndan Izraelin nga Bregu Perëndimor, ka sjellë një mosbesim edhe më të madh midis arabëve dhe hebrenjve. Vendbanimet, që dikur mendoheshin si të negociueshme, janë shndërruar në pengesën e përhershme për arritjen e paqes.

Statuskuoja i ka shërbyer për mirë Izraelit, por ajo nuk është e qëndrueshme. Herët apo vonë, do të pranohet se duhet një formulë e re për të jetuar pranë palestinezëve. Nënshkrimi i Marrëveshjeve të Oslos,dhe minimi i tij në praktikë ushqen realitetin e një shteti unitar, pasi e bën më të vështira idenë e krijimit të 2 shteteve.

Parimi udhëzues për arritjen e paqes duhet të jetë përqendrimi tek të drejtat njerëzore dhe civile të palestinezëve. Izraeli nuk do t’i njohë menjëherë të drejtat e plota të palestinezëve. Por mund t’i bëjë qytetarët e tij arabë më të barabartë, duke investuar burime për komunitetet e tyre.

Ai mund ta bëjë më gjithëpërfshirës administrimin e Jeruzalemit, ​​në mënyrë që mosmarrëveshjet rreth rrethimit të mos degradojnë në luftë. Izraeli duhet të marrë më shumë përgjegjësi për vuajtjet në Bregun Perëndimor dhe Gaza, dhe të punojë më shumë për t’i lehtësuar ato.

Mahmoud Abbas është në vitin e 17-të si president. Partia e tij Fatah e ka humbur ndikimin. Ndërkohë, Hamasi shkel të drejtat e njerëzve të tij, përfshirë gratë dhe pakicat. Liderët më të mirë palestinezë janë një parakusht për paqen.

Paqja nis gjithmonë nga pranimi i realitetit. Ajo zë rrënjë duke e përmirësuar jetën e njerëzve dhe duke ripërtërirë politikën. Dhe kjo mund të ndodhë në një ambient të ri. Pastaj, një ditë, palët mund të fillojnë të flasin përsëri për një marrëveshje, qoftë për një zgjidhje me një apo dy shtete. (Alket Goce-abcnews.al)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu