Anglia na mposht pastër në “Air Albania”. Rastet dhe golat sipas minutave (Video)

0

Pjesa e parë nisi mirë për kuqezinjtë, të cilët u vendosën mirë dhe arritën të zbatojnë shumë mirë planin”mbrohu dhe dil sa më shpejt”. Në minutën e 13-tëHysaj fitoi shumë mirë metr dhe hapësirën e lënë nga anglezët dhe nxori të vetëm para portës Myrto Uzunin.

Beratasi nuk hezitoi të godiste, por sfera shkoi mbi portë, pa rrezik për portierin Pope. Pas këtij rasti kuqezinjtë provojnë të dalin edhe dy herë të tjera, por pa rezultatin e mëparshëm. Bëmë gjithçka mirë deri në minutën e 38, kur Kane tundi rrjetën.

Ishte një top i larguar i yni nga Hysaj, me anglezët, që u kthyen shpejt dhe krosuan në zonë, duka na gjetur në befasi dhe Kane tundi rrjetën me kokë, pas u shqetësuar shumë nga mbrojtësit tanë. Goli na dha një goditje dhe Anglia fitoi terren e krijoi një tjetër rast, thuajse identik me golin, por këtë herë në minutën 43-të Kane goditi shtyllën.

E dyta nisi me të njëjtin ritëm, ne tregohemi vigjilentë në mbrojtje dhe Anglia provon të çajë, teksa në nisje të fraksionit të dytë talenti Foden provoi aftësitë e Berishës, me gardianin e SPAL, që e ndal atë top, i ndihmuar edhe nga shtylla.

Anglia vijoi të presonte në gjysmëfushën tonë dhe mundi iu shpërblye sërish në minutën e 63, kur Shqipëria gaboi në një nisje në sulm dhe dhuroi topin, me kundërshtarët, që e shfrytëzuan në maksimum dhe tundën rrjetën me talentin e Chelseas, Mason Mount.

Pas golit kuqezinjtë nuk kishin ç’të humbnin dhe nisën të jenë ofensivë, duke e mbajtur për rreth 10 minuta nën presion të vazhdueshëm dhe e mbyllur në mbrojtje. Gjithsesi, asnjë rrezik serioz në portën e Pope, me Anglinë, që tregohet serioze dhe nuk guxon në sulm dhe Shqipërinë, që nuk e shërojnë zëvendësimet e shumta të Rejës.

Kështu anglezët fitojnë 0-2 në “Air Albania”, megjithëse jo pa vështirësi. Paraqitje e mirë e kuqezinjve në përgjithësi, duke pasur parasysh se përpara ishte një skuadër me vlerë 12 herë më të madhe e tyre në merkato. Qëndrojmë në kuotën e 3 pikëve, ndërsa skuadra e Southgate numëron pikë të plota, 6. /abcnews.al

Eliminatoret, Qatar 2022
Shqipëri-Angli 0-2
Shënues: Kane 38’, Mount 63’

SHQPËRIA (3-5-2): Berisha; Ismajli, Gjimshiti, Veseli; Hysaj, Laçi (Ramadani), Bare (Memushaj), Uzuni, Memolla (Gjasula); Cikalleshi (Manaj), Broja (Lenjani). Trajner: Edy Reja.
ANGLIA (4-3-3): Pope; Shaw, Maguire, Stones, Walker; Phillips (Ward-Prowse), Rice, Foden; Mount, Kane, Sterling. Trajner: Gareth Southgate.

63′ Anglia na ndëshkon sërish. Asisti i Harry Kane dhe finalizim i Mason Mount, talentit të Chelsea, i cili nuk gaboi përballë Etrit Berishës.

52′ Anglia e nis në sulm pjesën e dytë. Etrit Berisha bën mrekullinë përballë Phil Foden. Portieri i Shqipërisë ka edhe fatin me vete, pasi topi preku shtyllën.

43′ Rast i pastër për Anglinë, Harry Kane sërish i rrezikshëm. Kapiteni i Anglisë i shkëputet mbrojtjes kuqezi dhe godet traversën. Shpëtojmë për mrekulli.

38′ Harry Kane ndëshkon Shqipërinë pas një krosimi në zonë. Sulmuesi i Tottenham, me kokë u tregua i saktë dhe mposhti portierin Etrit Berisha.

13′ Dalje shumë e bukur e Shqipërisë në kundërsulm. Myrto Uzuni del i vetëm përballë portës angleze pas topit të marrë nga Hysaj, por goditja e sulmuesit beratas përfundon jashtë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu