Arrest me burg/ Çfarë deklaroi sot në Gjykatë për vrasjen në Peqin, Leonard Bashaliu

0

Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Elbasan, ka dhënë masën e sigurisë së arerstit me burg nën akuzën e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtjes pa leje për Leonard Bashaliun i cili qëlloi me armë zjarri duke e lënë të vdekur Ylber Xhahysa, 45 vjeç në një lokal në fshatin Gjocaj, Peqin.

Prokurori i çështjes, Petref Asllani i ka kërkuar trupit gjykues masën e sigurisë nën akuzat e mësipërme. Ndërkohë avokati mbrojtës ka kërkuar që ngjarja të klasifikohet si vrasje e kryer në kushtet e tronditjes psiqike të çastit.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore Leonard Bashaliu nuk ka folur duke i lënë të drejtën avokatit të tij mbrojtës që të shprehej. Ky i fundit ka deklaruar përpara gjyqtares Fetahu se klienti i tij e ka kryer krimin në gjendje të rënduar psikologjike pas konflikteve të vazhdueshme prej disa vitesh që ndodhnin mes tij dhe Ylber Xhahysës.

Gjatë deklaratës së tij në polici Bashaliu deklaroi se: “Kurrë nuk do ta kisha vrarë, por më ka dhunuar dhe fyer vazhdimisht. Kohët e fundit edhe më pati kërcënuar. Ndjehesha i rrezikuar. Më kishte stresuar aq shumë sa nuk kisha më qetësi dhe nuk flija as gjumë. I kisha thënë; “mos më shqetëso”, por ai vazhdonte të ma nxinte jetën. Edhe herën e fundit kur jemi parë në mëngjes rastësisht në lokal ishte ai që më kërcënoi pa i thënë unë asnjë fjalë. U ndjeva i poshtëruar para të njohurve dhe fillova ta urrej deri në atë masë sa vendosa që t’i jap fund kësaj historie torturuese. Dola jashtë dhe një mijë mendime më vinin në kokë. Ika nga lokali dhe mora armën, u ktheva shpejt dhe e qëllova. Fillimisht u ndjeva i lehtësuar, por u pendova shpejt por nuk korrigjohej me ajo që bëra. Ishte e tmerrshme. U kërkoj ndjesë familjarëve të tij.”, -mësohet të jetë shprehur autori i vrasjes. Vrasja e Xhahysës ndodhi mëngjesin e 8 Qershorit në fshatin Gjocaj të Peqinit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu