Balluku në Kuvend: Fluturimet nga Vlora nisin në pranverën e 2025-ës, brenda majit hapet gara për ndërtimin e aeroportit të Gjirokastrës

0

TIRANË- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka folur ditën e sotme në seancën plenare në Kuven për projektligjin “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror Albcontrol”.

Balluku tha se Aviacioni Civil Shqiptar sot ndodhet në një moment historik pasi në 5 vitet e fundit, duke nisur nga viti 2019, ka nisur dizenjimi dhe aplikimi i një strategjie të mirëfilltë për zhvillimin e aviacionit civil në Shqipëri, duke krijuar një mundësi të re të zhvillimit ekonomik në vend.

Gjatë fjalës së saj ministrja tha se aeroporti i Kukësit është funksional. Zv/kryeministrja deklaroi se, në fund të dhjetorit 2024 përfundojnë punimet për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës dhe më pas do të vijohet me proceduarën e licencimit të tij, me synimin që në pranverën e vitit 2025, të kemi ulje-ngritjet e para.

Balluku bëri të ditur se, brenda muajit maj, hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportit të katërt në jug të vendit, pikërisht në Gjirokastër.

Fjala e plotë e ministres në Kuvend, projektligji “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror Albcontrol”

Aviacioni Civil Shqiptar sot ndodhet në një moment historik pasi në 5 vitet e fundit, duke nisur nga viti 2019, ne nisëm dizenjimin dhe aplikimin e një strategjie të mirëfilltë për zhvillimin e aviacionit civil në Republikën e Shqipërisë, duke krijuar kështu një mundësi të re të zhvillimit ekonomik në vend, pasi dihet qartë që aviacioni civil është kolonë mbështetëse e disa sektorëve për zhvillimin e tyre.

Kemi deklaruar në atë kohë se Shqipëria do të ketë 4 porta hyrëse nga ajri dhe prej vitesh tashmë po punojmë. Duke nisur nga aeroporti i Tiranës i cili përmes një rinegocimi të kontratës ekzistuese koncesionare tashmë operon komplet në kushte të tjera. Vetëm për ta bërë më të prekshme dhe më të kuptueshme të gjithë këtë investim që bëhet në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës duhet thënë një masë krahasuese e qartë. 13 mijë metra katrorë ka pasur në terminale ky aeroport deri në vitin 2020, ndërkohë që sot ka 40 mijë metra katrorë. Pra është shtuar me 3-fishin e tij, më shumë se 3-fishin, për të akomoduar të gjithë fluksin e pasagjerëve dhe të trafikut që aeroporti i Tiranës ka. Gjithashtu këto investime shkojnë edhe në pistën e aeroportit të Tiranës e cila deri para pak kohësh ka qenë rreth 2.8 kilometra e gjatë, ndërkohë që sot synojmë që këtë pistë ta çojmë në 3.2 kilometra për të qenë një pistë që akomodon të gjitha fluturimet transoqeanike, duke e kthyer aeroportin e Tiranës në një aeroport të kategorisë 4 E.

Duhet pasur parasysh gjithashtu që shtimi i vendqëndrimeve me 9 vendqëndrime të reja, 2 prej të cilave janë teknikisht të ndërtuara për të përballuar të gjithë avionët të cilët mund të kryejnë fluturime transoqeanike, shpreh qartë dëshirën dhe vullnetin e Qeverisë Shqiptare dhe gjithashtu angazhimin e koncesionarit të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës për të pasur tashmë një nivel tjetër operimi i cili nuk do të jetë më e nevojshme për shqiptarët që të fluturojnë në pika të tjera, hube kontakti pra për të marrë fluturimet siç është Vjena, siç është Stambolli, Roma apo vende të tjera, por mund të fluturojnë drejt kontinenteve të tjera kryesisht Amerikës, aty ku ne kemi diasporën më të madhe, direkt nga aeroporti i Rinasit.

Nga ana tjetër, aeroporti i Kukësit tashmë është funksional dhe ne kemi një lajm shumë të mirë që e kemi thënë herë pas here që të gjitha punimet civile në aeroportin e Vlorës, pra aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, i cili parashikohet të jetë një nga aeroportet më të mëdha në rajon përsa i përket përpunimit, jo vetëm të pasagjerëve, por edhe të mallrave kargo, por edhe një industri e nënsektorit të ri të industrisë së aviacionit për vendin tonë që është ajo e mirëmbajtjes së avionëve. Punimet civile në këtë aeroport po shkojnë ashtu siç duhet. Ne parashikojmë që në fund të muajit dhjetor të 2024 të dorëzohet dhe më pas aty nis puna e të gjithë grupit nga operatori, që ashtu siç e dini është aeroporti i Munihut dhe tek koncesionari dhe patjetër Autoriteti Aviacionit Civil për të vazhduar më tej me licencimin e këtij aeroporti dhe që në pranverën e vitit 2025 të kemi ulje-ngritjet e para. Por sigurisht për të pasur portën e katërt do të na duhet që brenda muajit maj ne të hapim garën ndërkombëtare për një aeroport të katër në jug, i cili fillimisht u propozua që të ishte në zonën e Sarandës, por sigurisht duke pasur parasysh një sërë kërkesash të asaj zone përsa i përket të gjithë zhvillimit turistik, por edhe zonave të mbrojtura që ndodhen në zonën e Sarandës, më pas kemi dakordësuar dhe me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe me Autoritetin e Aviacionit Civil që zona e Gjirokastrës do të ishte zona e duhur. Edhe për shkak të korridoreve ajrore, edhe për shkak të një ‘airfield-i’ ekzistues në atë zonë, i cili do të kthehet shumë më lehtësisht në aeroport.

Por kjo nuk ka asnjë pengesë, pasi aeroporti i Gjirokastrës do të jetë dhe i Sarandës, duke qenë se tashmë ne e mbështesim me një infrastrukturë rrugore për thënë nga më modernet e cila ka në mes tunelin e Skërficës që jep një akses nga aeroporti i Gjirokastrës në qytetin e Sarandës vetëm për 35 minuta.

Të gjitha këto sigurisht kërkojnë edhe axhustime të tjera ligjore dhe kërkojnë që të ketë një mirëfunksionim edhe të aktorëve të tjerë që shërbejnë në fushën e aviacionit civil, pra siç është rasti i navigimit ajror. Kjo është dhe arsyeja pse sot gjendemi këtu dhe pse kemi kërkuar disa ndryshime pra në ligjin organik të funksionit të Agjencisë së Trafikut Ajror, pra të Albcontrol, që padyshim ka të bëjë me këtë zhvillim ekspansional që ne kemi pasur, duke nisur nga viti 2019. Kjo është diçka që duhet shënuar dhe është një arritje e madhe për vendin tonë dhe për të gjithë strukturat që operojnë në aviacionin civil, pasi kini parasysh që ka pasur tre sfida shumë të forta deri më sot aviacioni civil. Ka pasur të gjithë krizën e pandemisë dhe krizën postpandemike. Më pas agresionin e Rusisë në Ukrainë që ka ndryshuar një sërë korridoresh lëvizje dhe gjithashtu edhe konfliktin duke nisur nga tetori i 2023 që kemi në zonën e Gazës dhe Izrael.

Megjithatë janë disa shifra që dua të ndaj me ju. Numri total i fluturimeve parashikohet të rritet gjatë vitit 2024 përkatësisht 10% krahasuar me 2023 dhe 55% krahasuar me 2019. Në vitin 2023 ne kemi pasur një rritje dhe tejkalim të parashikimeve do ta thoja në fluturime krahasuar me vitet pararendëse, duke e renditur Shqipërinë në vend të parë në Europë në rikuperimin e trafikut. Sipas buletinit të publikuar nga EUROCONTROL në vitin 2023 Shqipëria u rendit e para me një rritje prej 31% përsa i përket trafikut ajror. Kjo edhe si pasojë e shtimit të kompanive ajrore dhe të destinacioneve të reja nga aeroporti i Rinasit. E nënvizoj këtë pasi dua thjesht që të mendoni dhe të analizoni sesi do të jetë në pranverën e vitit tjetër kur të jetë në operim dhe aeroporti i dytë ndërkombëtar, ai i Vlorës.

Në ndërkohë që duhet pasur parasysh gjithashtu që parashikimi për vitin 2024 tregon një rritje me 32% të fluturimeve terminale, ulje dhe ngritjeve në aeroportin e Rinasit, krahasuar me vitin 2023, si dhe një rritje me 137% e këtyre fluturimeve të terminalit krahasuar me 2019.

Sa i takon trafikut terminal rritja është ekspansionale, arrin në 33% në krahasim me 2023, në 157% me 2019. Të gjitha këto të thëna së bashku sigurisht na vënë para një detyre që navigimi ajror duhet ti përgjigjet të gjithë kërkesës që i vijnë nga aeroportet apo nga kompanitë ajrore. Konkretisht në 2022 Albcontrol ka nisur rekrutimin e kontrollorëve të trafikut ajror përsa i përket edhe aeroporteve të reja të cilat do të ndërtohen në vend, duke pasur parasysh që rekrutimi dhe përgatitja e një kontrollori të trafikut ajror është një procedurë që zgjat rreth 2 vjet, por sigurisht ne kemi nisur rekrutimin përmes Albcontrol dhe të inxhinierëve, vrojtuesve metrologjik dhe specialistëve të ARO.

Pas një procedure krejtësisht transparente dhe një gare e cila udhëhiqet nga EUROCONTROL tashmë me të gjithë vajzat dhe djemtë që kanë hyrë në industri dhe ka nisur trajnimi i tyre, ne parashikojmë që një pjesë të jenë gati në përfundim të këtij viti. Rreth 16 kontrollorë të trafikut ajror që do të shërbejnë përsa i përket fluturimeve, ulje-ngritjeve në zonën e Vlorës, por gjithashtu do të jemi gati brenda këtij viti edhe me të gjitha stafet inxhinierike dhe ata të ground-it që do të duhen për aeroportin e ri.

Të gjitha këto arritje madhore, siç ju thashë, janë falë një Strategjie të zhvillimit të aviacionit civil në Republikën e Shqipërisë të dizenjuar në vitin 2019 dhe tashmë në zbatim të kësaj Strategjie Kombëtare shumë shpejt do të na duhet që të nisim edhe procedurat, siç ju thashë, ato të garës ndërkombëtare për aeroportin e Gjirokastrës.

Zhvillimi me hapa të tillë ekspancionalë në aviacionin civil në vend ka nxjerrë në pah nevojën për të pasur më shumë burime njerëzore të kualifikuara. Pasi do të kemi edhe nën sektorë të rinj që do të aktivizohen që deri më sot nuk kanë qenë të disponueshëm në Republikën e Shqipërisë. Industria e mirëmbajtjes së avionëve është një industri e rëndësishme e cila në vendet përreth nesh sot nuk ka më kapacitete përpunuese dhe ky është një moment i artë për Shqipërinë dhe unë besoj që këtë e kanë kuptuar edhe kompanitë që operojnë tashmë në territorin tonë, se i duhet dhënë një vëmendje e madhe kësaj industrie e cila do të krijojë punësim për shumë djem dhe vajza në disa nivele, duke nisur nga inxhinieria e avioni dhe deri tek teknikët. Për këtë arsye, në bashkëpunim me ICAO gjatë vitit 2024 ne do të kemi mundësinë të themelojmë për herë të parë në Republikën e Shqipërisë Akademinë Ajrore për të përgatitur kështu të gjitha stafet e nevojshme që do të kenë mundësi për të punuar në të katërt aeroportet e vendit në të ardhmen.

Pikërisht për t’ju përshtatur sa më mirë këtyre dinamikave të reja dhe sigurisht këtij aktiviteti kaq të madh të aviacionit civil në vendin tonë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka propozuar projektligjin “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol”.

Synimi i këtij projektligji është të orientojë organizimin e Albcontrol, në formën e një enti publik, jo fitimprurës, buxhetor, ndryshe nga sh.a që ka qenë deri më sot dhe sigurisht ky ent publik do të funksionojë në të mirë të publikut shqiptar, por padyshim dhe të sigurisë kombëtare pasi është diçka që ju e dini, por unë do të dua ta ndaj me publikun që në sallat e navigimit ajror shqiptar operojnë sigurisht kontrollorët e trafikut ajror civil, por edhe kontrollorët e trafikut militar. Ne kemi grupet të përbëra që operojnë nga sallat e operimeve për mbikalimet, ulje-ngritjet, në zonën e Rinasit.

Kjo inciativë ligjore vjen në vazhdën e perfeksionimit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të një sërë procesesh që lidhen me intensifikimin e shërbimit të lundrimit ajror mbi territorin e Republikës së Shqipërisë dhe sigurisht ka për qëllim rritjen e mëtejshme të standardeve nga një ent që kryen një veprimtari, siç ju thashë, me rëndësi strategjike edhe për sigurinë kombëtare.

Në fakt, iniciativa, në frymë dhe në gërmë të saj, do të sigurojë garanci akoma më larta për mbarëvajtjen akoma më të mirë të punës në sigurimin e shërbimeve akoma më cilësore të lundrimit ajror në vendin tonë, ku përfshihet shërbimet e menaxhimit të trafikut ajror; shërbimet e komunikimit, të lundrimit dhe mbikëqyrjes; shërbimet e informacionit aeronautik; shërbimet meteorologjike për lundrimin ajror; shërbimet e hartimit të procedurave të fluturimit në të gjithë hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, si dhe shërbime të tjera, në përputhje me standardet e konventave ndërkombëtare apo të legjislacionit në fuqi.

Dëshiroj të qartësoj për të gjithë opinionin publik se është detyrë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si ministria përgjegjëse për sektorin e transportit ajror të propozojë rregullime që forcojnë më tej standardet organizative për ofrimin cilësor të shërbimeve të lundrimit ajror.

Janë shërbime me rëndësi jetike, për të gjithë përdoruesit e tyre, por nuk kanë të bëjnë vetëm me miliona udhëtarë të cilët ulen dhe ngrihen në aeroportet e Republikës së Shqipërisë, por ka të bëjë gjithashtu dhe me miliona udhëtarë të cilët mbikalojnë në hapësirën tonë dhe shoqërohen nga kontrollorët e trafikut ajror shqiptar dhe siç ju thashë edhe elementi militar është shumë i rëndësishëm pasi lidhet direkt me sigurinë kombëtare.

Në këto kushte, sot, jam e sigurt se do të jemi të gjithë bashkë për të mbështetur këtë iniciativë sa kohë ajo ofron standarde më të larta sigurie, padyshim qartëson mënyrën e operimit të navigimit ajror që duhet thënë që është një kompani shtetërore e cila është e vetmja në Republikën e Shqipërisë.

Por, nëse dikush nga ju do të vazhdojë të jetë skeptik pasi kam ndjekur me vëmendje të gjithë debatet që keni pasur në komisionet përkatëse unë do të dëshiroja dhe kam shumë kënaqësi t’ju sqaroj se nuk ka se si, ndërsa propozohet një projekt ligj për organizimin e një subjekti si ent publik, tërësisht jo fitimprurës dhe me objektiva të qarta përsa i përket sigurisë ajrore të vendit tonë dhe sigurisë kombëtare të jemi akoma të paqartë apo të aludojmë arsye të tjera. Ajo çka sot po kërkojmë të bëjmë kryesisht dhe që unë kam shumë dëshirë që ta ndaj me ju dhe më pas edhe t’ju përgjigjem nëse dikush do të vazhdojë të jetë skeptik është që thelbi i këtij projektligji qëndron sigurisht në formën e organizmit të institucionit, por nga ana tjetër ka të bëjë edhe me një ndryshim thelbësor pasi deri dje navigimi ajror qëndronte me Ministrinë e Ekonomisë. Ministria e Ekonomisë nuk ka kapacitetet teknike për të ndjekur një kompani të kësaj specifike. Dhe kjo është arsyeja edhe e ndryshimit të formës duke e kthyer në një institucion publik buxhetor, jo fitimprurës, por që i atashohet dhe i shkon në varësi ministrisë së linjës si ministria e cila ndjek politikat e aviacionit civil në vendin tonë, si ministria e cila udhëheq zhvillimin e këtij sektori dhe padyshim si ministria që ka kompetencën e plotë për të ndjekur në vijueshmëri gjithçka që do të duhet që aviacioni civil të përmbushë në kuadër të zhvillimit ekspancional që kemi sot në aviacionin civil.

Unë nuk do dua të zgjatem pasi jam e sigurt që do të kem mundësi të përgjigjem edhe gjatë kohës kur kolegët do të diskutojnë, po e mbyll këtu duke ju lenë ju kohën për vazhdimin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu