Banorët e fshatit Hotolisht protestuan sot në mesditë kundër punimeve për autostradën e re “Elbasan–Qafë Thanë”, e cila, sipas tyre, rrezikon të shembë shtëpitë e tyre. Ata bllokuan rrugën nacionale në Librazhd në shenjë pakënaqësie, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga mbrojtja e banesave të tyre.
Sipas protestuesve, mungesa e transparencës dhe e konsultimit me komunitetin i ka detyruar të dalin në protestë. Banorët thonë se projekti aktual i rrugës parashikon shembjen e rreth 30 shtëpive dhe kërkojnë rishikimin e planit. Ata propozojnë ndërtimin e një tuneli, që do të minimizonte ndikimin tek komuniteti dhe mjedisi.
Një tjetër shqetësim i madh i banorëve është kompensimi i ofruar nga shteti, të cilin e cilësojnë të pamjaftueshëm për të rindërtuar banesat e tyre. Po ashtu, çmimi i tokës prej 174 lekësh për metër katror, sipas tyre, është i papranueshëm.