Bardhi: Shërbëtorët e Ramës u heqin shqiptarëve të drejtën për një proces të ndershëm zgjedhor

0

Sekretari i përgjithshëm i PD,  Gazmend Bardhi me anë të  reagimi për mediat ka hedhur akuza se 3 shërbëtorët  të kryeministrit Edi Rama në KAS u mohuan shqiptarëve të drejtën për transparencën e masakrës zgjedhore.

Me tej Bardhi paralajmëron se do apo jo Rama, transparenca do të bëhet e plotë. Duke iu referuar hedhjes poshtë të ankesave të PD-së dhe partive opozitare nga KAS, Bardhi shprehet se KAS bëhet palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve.

Reagimi i plotë i Bardhit:

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ u mohoi sot shqiptarëve transparencën për masakrën zgjedhore të 25 Prillit. 3 anëtarët e zgjedhur nga PS refuzuan, në mënyrë të paligjshme, pa asnjë argument të marrin nga institucionet shtetërore provat që faktojnë se PS përdori burimet shtetërore dhe kriminale për deformimin e vullnetit të zgjedhësve.

Duke refuzuar të marrë dhe administrojë informacionin zyrtar për punësimet masive të paligjshme, përdorimin e personave me rekorde kriminale për blerjen e votave, dhënien e paligjshme të lejeve të legalizimit apo favoreve të tjera shtetërore në këmbim të votave, KAS bëhet palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve.

Ky është një akt i përsëritur, kur shërbëtorët e Ramës u heqin shqiptarëve të drejtën për një proces të ndershëm zgjedhor. Me vendimin për fletën e ndërlikuar të votimit, për shkak të të cilit vota e 83 mijë qytetarëve u bë e pavlefshme, KAS faktohet si bashkëautor i masakrës elektorale të 25 Prillit.

Edi Rama mund ta pengojë tani, por nuk ka forcë ta ndalojë transparencën për masakrën zgjedhore. Transparenca dhe drejtësia për 25 Prillin do të bëhet e plotë, do apo nuk do Rama dhe veglat e tij në KAS. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu