Blogerë apo agjentë? – Misteri i ‘vizitës’ së rusëve në Uzinën e Gramshit: Zbulohet çfarë filmuan tre të huajt

0

33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase janë arrestuar nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.

Ka dyshime që ata të jenë agjentë, ndërsa në momentin që një prej tyre ka tentuar të futet në godinën ushtarake dhe ta fotografojë ka ndodhur edhe një përplasje me dy rojet ushtarake.

Të lënduar, pasi u ekspozuan ndaj një spray irritues mbetën Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Por çfarë qëndron vërtet pas tre shtetasve të huaj që tentuan të futeshin në një zonë të ndaluar ushtarake? Ka pretendime që të behët fjalë për tre blogerë, që guxuan më shumë seç duhet dhe u futën në zona të ndaluara në vendin tonë.

Svetlana Timofoeva, në një intervistë për Daily Mail se ata janë një grup që fotografojnë ndërtesa institucionesh të vjetra apo të braktisura në vendet që ata vizitojnë. Megjithatë, ajo që nuk dihet është pse disa turistë pa qëllime “të dyshimta” do të sulmonin me spray dy roje ushtarake që i urdhëruan të ndalonin pasi kishin shkelur në një zonë të ndaluar për ta?

Image

Në një nga “storyt” e tyre në Instagram madje është postuar edhe një foto e automjetit tip “Chevrolet”, me të cilin, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se udhëtonin 33-vjeçarja Timofoeva dhe shoqëruesit e saj.

Fotoja e automjetit, i cili u bllokua nga autoritetet shqiptare, është bërë në Cërrik në Uzinën e Përpunimit të Naftës. Po ashtu, pas arrestimit, në një çantë të sekuestruar, autoritetet gjetën një celular dhe një aparat fotografik në të cilët u gjetën foto të institucioneve shqiptare.

Në profilin e saj në Instagram, ku mban emrin Lana Staor, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva e përshkruan veten si fotografe e cila fotografon kryesisht trashëgimi të shekullit të XX si dhe vende të braktisura.

Në llogarinë e saj në Instagram, para se të ndodhte incidenti në Gramsh, ajo ka publikuar pamje nga ndërtesa të braktisura në vendin tonë.  Në pamje duken lakuriqë natë të ngordhur pas kontaktit me rrymën elektrike, tunele, dyer të vjetra metali. Ajo ka postuar dhe dy shoqëruesit e saj që eksplorojnë godinat me elektrikë dore.

DINAMIKA E NGJARJES TË SHTUNËN MBRËMA

Ministria e Mbrojtjes ka zbardhur dinamikën e ngjarjes në Uzinën e Përpunimit të Armëve ku tre shtetas të huaj u përplasën me dy rojet ushtarake të objektit. Sipas asaj që bëhet e ditur, gjithçka ka nisur rreth orës 17:40 të ditës së sotme kur  roja ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit.

Sipas Mbrojtjes, ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë. Pavarësisht thirrjes së rojës dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij.

Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij. Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisariatit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse Svetlana Timofoev 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Të tre personat janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur./InfowebTv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu