Çudia: 11 vjet që nuk hap dritaren nga tymi i oxhakut të komshiut

0

Në Librazhd, në lagjen nr. 2, Elton Rruplli prej 11 vitesh përballet me një problem të vazhdueshëm, tymin që i vjen nga oxhakët e fqinjëve, Shefki Bahiti dhe Liza Blloshmi.

Eltoni tregon se, për këtë arsye, nuk mund të hapë as dritaret e tij.

“Shikoje sa afër jam unë këtu. Nuk e hap dot këtë dritare se bllokohesh fare. Edhe pa e hapur, vjen era këtu. Muri është nxirë. Unë e kam lyer para një viti dhe prap…

Në katin e sipër, është akoma më tepër.

Kjo është dhoma e gjumit të fëmijëve. Kjo është më e tmerrshmja”, tha ai.

Sipas Eltonit, oxhakët janë nën parametrat teknikë, më pak se një metër të lartë. Ai thotë se u përpoq ta zgjidhte me mirëkuptim këtë problem, madje ofroi të paguante vetë zgjatjen e tubave, por nuk gjeti dakordësi.

Ankesat në Bashki dhe në Policinë Bashkiake mbetën pa zgjidhje.

Pas ndërhyrjes së gazetares së emisionit “Stop”, njëra familje pranoi të ndërhynte, ndërsa Bashkia, me mbështetjen e kryetarit Maringlen Disha, ngriti një grup pune në terren.

Pëgjigjja e Shefki Bahitit:

Bahiti: I kemi gjykuar të gjitha variantet ne, o flori, edhe nuk mund të qëndrojë tubi. Ku do qëndrojë tubi?

Gazetarja: Tek tubi ekzistues që është, vetëm ta zgjasësh dy-tre metra.

Bahiti: Ku do qëndrojë? Teknikisht…!

Gazetarja: Po nga të del ty tymi i oxhakut? Se po bëjmë kuicë si Babagjyshi.

Bahiti: Jo, jo, jo, jo…

Gazetarja: Ideja është të gjejmë një zgjidhje zotëri.

Bahiti: Objekti im është ndërtuar para objektit të atij.

Rruplli: Por, oxhaku është bërë më pas.

Bahiti: Oxhakët, që i kam ndërtuar, i kam ndërtuar në miratim. Ka një ligj për oxhakët, ka qenë Kryetari…

Gazetarja: E kuptoj. Dëgjo, edhe ai objekti që është ngjitur me ty, prap me kryetarë kanë qenë që i ka dhënë leje. Ne nuk do merremi me kryetarët e Librazhdit se kush ka qenë, por çfarë zgjidhje mund të gjejmë zotëri?

Bahiti: Unë, çfarë t’i bëj? Unë çfarë t’i bëj?

Gazetarja: Çfarë të bësh ti? Të sigurosh që ndotja, tymi, mos t’i futet personit tjetër në shtëpi.

Bahiti: Po nëqoftëse ai do ta kishte bërë 10 katësh, unë 10 kate do ta ngrija këtë tubacion lart?

Gazetarja: Po nuk e ke 10 kate, e ke 5 kate. Zotëri, 3 metra tub, 100 mijë lekë kushton.

Bahiti: Po nuk diskutohet tubi, mo flori!

Gazetarja: Po çfarë diskutohet? Inati? Ti je rrezik edhe për djegie shtëpish.

Bahiti: Jo s’kam rrezik për djegie shtëpish.

Gazetarja: Do e japësh një zgjidhje ti? Apo, ta japin institucionet?

Bahiti: Po, ne do të shikojmë nga vera tani!

Gazetarja: Jo, jo, nga vera, jemi në dimër. Nga vera ti nuk e hap sobën zotëri.

Bahiti: O flori nuk bëhen në dimër punimet, do rrëzoj njerëzit nga çatia unë?

Gazetarja: Këtu nuk është qamet i madh, punojnë njerëzit! A mund të lësh një afat për zgjidhje?

Bahiti: Jo, unë afat nuk mund të lë!

Gazetarja: Dakord. Afatin e marr unë të Bashkia. Të përshëndes!

Përgjigjja e familjes Blloshmi:

Blloshmi: Edhe këtë dimër domëthënë, edhe këtë vit, nuk do bëj asgjë!

Gazetarja: Si nuk do bësh asgjë?

Blloshmi: Po mbaroi dimri. Të iki dhe ky shkurti, edhe 10 ditë sa kanë ngelur, edhe nuk ndizet më zjarri.

Dy familjeve iu la afat 1 javë për rregullimin e oxhakëve sipas standardeve.

Në fund, Elton Rruplli falënderoi publikisht “Stop”, duke theksuar se një problem 11-vjeçar mori zgjidhje brenda pak ditësh.