Dalin datat e provimit për licencën e infermierëve të rinj. Nga 9 nëntori deri në 3 dhjetor, rregullat e reja për testimet

0

Hapet drita jeshile për infermierët që duan të marrin licencën me qëllim për t’u futur në garën për punësim.

Qendra e Shërbimeve Arsimore ka bërë publike kalendarin me datat kur do të testohen profesionistët e urdhrit të infermierit, ndërsa në vijim do të shpallë listën me emrat dhe orën përkatëse.

Është një periudhë e konsiderueshme kohe, prej gati një muaji, nga 9 nëntori deri në 3 dhjetor, përgjatë të cilit do të testohen mijëra të rinj që kanë përfunduar studimet master, praktikën e detyrueshme profesionale dhe presin të marrin licencën ose të drejtën e ushtrimit të profesionit.

Pandemia ka shtyrë me disa muaj shumë testime të organizuara nga QSHA dhe ka diktuar gjithashtu edhe rregullat e reja të testimeve për të gjithë profesionet e rregulluara me ligj. Maska e dorezat janë të detyrueshme, sikundër dokumentet e identifikimit dhe fatura e kryerjes së pagesës.

Për të kaluar me sukses testin, nevojiten së paku gjysma e pikëve, ndërsa mundësitë e ritestimit janë të pafundme, nga pesë të tilla. Kjo gjë bëhet duke paguar për çdo herë një tarifë në rritje.

Ndonëse në mjediset e brendshme të QSHA-së ka gjurmues që nuk lejojnë depërtimin e valëve, celulari, ushqimi apo çdolloj sendi tjetër ndalohet rreptësisht të merret me vete.

Çdo pjesëmarrës në provim është i detyruar të zbatojë orën, pasi në të kundërt nuk do të lejohet të marrë pjesë, ndonëse mund të ketë paguar tarifën, e cila sidoqoftë nuk i kthehet mbrapsht. Të parët që testohen janë infermierët, më të shumtët në numër, të cilët do të ndiqen nga mamitë, fizioterapeutët, teknikët e laboratorit, imazherisë dhe logopedët.

Por, testimet nuk mbarojnë me kaq. Për t’u futur në punë, ata duhet t’i nënshtrohen testimit “Infermierë për Shqipërinë” e cila, ashtu si mësuesit, i rankon në listën e punësimeve duke iu dhënë mundësi atyre që dalin me rezultate më të mira.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu