Del vendimi/ Falen gjobat e masave antiCovid. Kthehen patentat, makinat e bllokuara dhe lekët. Kush përfiton

0

Qeveria ka vendosur të falë të gjithë gjobat që u janë vendosur bizneseve e qytetarëve që nuk kanë zbatuar rregullat gjatë periudhës së pandemisë së Covid-19.

Në këtë falje përfshihen penalitet për qyetarët që kanë shkelur rregullat e qarkullimit gjatë karantinës, gjobat e vendosura ndaj bizneseve që kanë respektuar protokollet e masave antiCovid dhe sipërmarrjeve që kanë ushtruar aktivitet eventesh dhe nuk kanë respektuar rregullat e orarit të muzikës.

Patentat dhe makinat e bllokuara duhet të kthehen brenda datës 15 Nëntor të këtij viti.

Akti Normativ i miratuar nga Këshilli i Ministrave detyron edhe institucionet që kanë marrë masat administrative ndëshkuese që të kthejnë shumat e parave për subjektet që e kanë paguar gjobën.

“Të gjitha institucionet shtetërore, të cilat kanë ushtruar autoritetin e vendosjes së masës administrative me gjobë, duhet të përgatisin listat e subjekteve ndaj të cilave është vendosur masa administrative me gjobë, duke përfshirë shumën si dhe të dhënat e nevojshme për kthimin e saj brenda datës 30 tetor 2020.”

Mënyra e kthimit të parave në llogaritë e subjekteve dhe qytetarëve do të përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, ndërsa për ndëshkimet që kanë bërë njësitë e qeverisjes vendore, vendimi për mënyrën e kthimit duhet të miratohet nga Këshilli Bashkiak.

Kjo është hera e dytë që qeveria miraton një akt normativ me karakter falës për ndëshkimet e vendosura gjatë pandemisë, me qëllim lehtësimin e situatës së bizneseve të goditura tashmë nga pandemia e Covid-19.

Akti fal të gjitha penalitetet e vendosura që prej 17 Prillit, deri më 7 Tetor të këtij viti, ndërsa përfshin në falje edhe penalitetet inspektoriatet vendore u kanë vendosur familjeve që kanë riparuar banesat e shembura nga dy tërmetet e një viti më parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu