Denoncimi i Vokshit: Në QSUT ikën dritat për 2 orë dhe ndërruan jetë 4 pacientë në intubim

0

TIRANË- Ditën e sotme po zhvillohet mbledhja e radhës e Komisionit për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Gjatë fjalës së saj në seancë, deputetja demokrate Albana Vokshi ka ngritur shqetësimin për mosfunksionimin e urgjencës në QSUT, pas zjarrit që ra para dy muajsh në katin zero të spitalit.

Vokshi tha se duhet të përgjigjet ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu në lidhje me një denoncim që ajo ka marrë nga një qytetar se në QSUT të premten në mëngjes kanë ikur dritat për dy orë dhe për pasojë kanë ndërruar jetë 4 pacientë.

“Ta bënim mbledhjen në Urgjencën e QSUT-së, e cila ka rreth 2 muaj që nuk funksionon. Ka rënë dy herë zjarr. Nuk funksionon asnjë aparaturë. Ende pacientët shkojnë nga një spital në një spital tjetër. Me votat e shumicës, e rrëzuat kërkesën time që ta bënim seancën në QSUT. Sa mund të ndihmonim për zgjedhjen e situatës.

Ka edhe një ngjarje tjetër të rëndë në QSUT. Sipas këtij informacioni, një punonjës që punon në QSUT, thotë se kanë ikur dritat për më shumë se dy orë. Sipas këtij punonjësi, ka pasur 4 të sëmurë që kanë humbur jetën, gjatë periudhës që kanë ikur dritat, pasi kanë qenë të intubuar, nuk ka funksionuar linja backup. Nëse ky informacion është i vërtetë, do të ishte një skandal shumë i madh. Një spital si QSUT a mund të rrijë pa drita? A është e vërtetë që të premten në mëngjes, duke u gdhirë, kanë ikur dritat? Pse s’ka punuar gjeneratori? Ku janë dërguar pacientët?”, tha Vokshi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu