Një prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Cërrikut ka dhënë dorëheqjen. Sipas dokumentit i cili po qarkullon gjerësisht në rrjet, këshilltari i është drejtuar zyrtarisht Këshillit Bashkiak për të paraqitur dorëheqjen nga detyra, me argumentin se do të marrë një tjetër pozicion në strukturat e Bashkisë Cërrik.
Megjithatë, ajo që bie menjëherë në sy është fakti se shkresa zyrtare përmban një sërë gabimesh drejtshkrimore dhe gjuhësore, të papranueshme për një dokument formal institucional.
Gabime në përdorimin e gjuhës shqipe, formulime të pasakta dhe mungesë korrektësie administrative e bëjnë letrën të duket më shumë si një shënim informal sesa si një akt zyrtar i cili është shkruar nga një punonjës që punon për të zgjidhur hallet e qytetarëve.
Edhe më problematik paraqitet fakti se personi në fjalë, emri i të cilit ende nuk dihet pasi kërkesa që po qarkullon nuk është e plotë, pritet të mbajë një post më të lartë në administratën e Bashkisë Cërrik.





