Një çift i martuar janë qëlluar për vdekje në kampin malor ku po qëndronin në Utah, SHBA, disa ditë pasi u ishin ankuar miqve se një burrë kishte nisur t’i përndiqte.
24 vjeçarja Kylen Schulte dhe 38 vjecarja Crystal Turner, u gjetën të vdekura në kampin e maleve La Sal në Utah, pasi ishin shpallur të humbura prej disa ditësh, sipas rrjetit Fox 13 .
Schulte e Turner ishin martuar katër muaj më parë dhe jetonin në furgonin e tyre “camper”, pasi kishin kryer disa ndalesa në rajon.
Një nga miqtë e dyshes që po kërkonte për to, zbuloi trupat në zonën e South Mesa dhe njoftoi policinë.
Tezja e Schulte, Bridget Calvert, tha për rrjetin Fox 13 se dy vajzat ishin ankuar kohët e fundit te miqtë se një burrë sillej në mënyrë të çuditshme pranë vendit të tyre të kampingut.
“Ato thanë se për këtë do të zhvendoseshin, do të mblidhnin plaçkat e do të lëviznin sepse ai burrë po i shqetësonte,” tha Calvert, duke kujtuar bisedat e dy vajzave me miqtë e tyre.