Franca hyri në këtë europian si pretendentja kryesore me një ekip të konsoliduar në të gjitha repartet dhe me yje që i kërkon e gjithë bota, si Kylian Mbappe.
Por, as Mbappe, as Benzema, as Pogba e Kante në mesfushë, madje as rregulli i ndalimit të seksit nuk mjaftuan që “Gjelat” të kalonin Zvicrën modeste, që në këtë takim, të paktën në letër ishte në një betejë me Goliathin.
Për të përcaktuar çerekfinalisten e kësaj 120 minuta lojë nuk mjaftuan. Koha e rregullt dhe shtesa prej gjysmë ore u mbyll në barazim 3 me 3. Nga pika e bardhë e penalltive zviceranët u treguan më të saktë, ndërsa nga francezët ishte pikërisht Mbappe ai që gaboi nga penalltia.
Koha e rregullt
Zvicra ka befasuar Francën në minutën e fundit të kohës së rregullt të lojës, duke rikuperuar avantazhin e dy golave që u gjend në pjesën e dytë dhe barazuar gjithçka në 3 me 3.
Dy golave të Benzemasë dhe Pogbasë, helvetët iu kundërpërgjigjën me Seferoviç në minutën e 81 dhe Gavranoviç në minutën e 90.
Zvicra mbylli pjesën e parë në avantazhin e një goli, ndërsa në minutën e 55-të humbi një 11-metërsh. Këtu ishin minutat e Francës, që me dy gjuajte në portë, gjeti dy gola! Karim Benzemasë i mjaftuan pesë minuta që ta nxirrte Francën e tij nga ferri në parajsë.
Skuadra e Didier Deschamps e mbylli pjesën e parë në dizavantazhin e një goli, të shënuar nga Seferoviç që në minutën e 15 të takimit. Si për të mos mjaftuar kjo, në minutën e 55-të dhe pas ndërhyrjes së VAR, Zvicra fiton një 11-metërsh dhe mundësinë më të artë për të dyfishuar rezultatin dhe ndoshta vrarë takimin.
Por, nga penalltia Rodriguez gaboi dhe Hugo Lloris ja priti lehtësisht topin e goditur. Kaq mjaftoi që Franca të merrte zemër. Dy minuta më vonë, Benzema merr bukur brenda zonës një top dhe përballë portierit zviceran gjen golin e barazimit.
Jo vetëm kaq, por pas dy minutash të tjera nga ky gol, sulmuesi francez i Realit të Madridit gjen edhe golin e dytë, teksa shtyn në rrjetë një top të goditur nga Griezman pas një kombinimi të bukur të këtij të fundit me Mbappe.
Pogba në minutën e 75 krijoi iluzionin e ndeshjes së mbyllur, por nuk ndanë këtë mendim zviceranët, që i barazuan dhe në minutën e 3-të shtesë patën edhe mundësinë për ta mbyllur ndeshjen, ndërsa një minutë më vonë ishte Coman ai që goditi traversën për Francën.