Një fermer nga fshati Vreshtan i Njësisë Administrative Shushicë në Elbasan ankohet se në arën e tij është hapur me pa të drejtë një rrugë ndërkohë që ai zotëron një vendim Gjykate ku njihet ligjërisht prona e tij.
Ymer Fyshku shprehet se e ka ndjekur çështjen për të fituar të drejtën e tij tek të gjitha institucionet, por askush nuk e ka marrë në konsideratë ankesën e tij. Dhe pasi mendon se i është padrejtësi dhe nuk e ka zgjidhur në asnjë vend, ai i është drejtuar mediave për sensibilizim.
Banori deklaron se e ka fituar parcelën në vendin e quajtur “Liqenet” në bazë të vendimit 7501. Ara është e mbjellë me ullinj. Me vendim të komunës është vendosur që në këtë arë të kalojë një rrugë. Por Ymer Fyshku e ka hedhur në gjykatë vendimin e komunës. Gjykata e Apelit me vendim gjyqësor nr 1169 datë 20.05.2013 e ka hedhur poshtë këtë vendim.
Bashkia Elbasan, me vendim nr 216 datë 16.10.2020 ka urdhëruar IMT që të hapë rrugën forcërisht. Dhe ashtu është vepruar. Por fermeri deklaron se ky veprim duket i padrejtë dhe për këtë qëllim ka nisur çështjen penale për cënim prone forcërisht në kundërshtim me lidgjet në fuqi. Banori këmbëngul se aty më përpara nuk ka pasur rrugë.
Për të qenë transparent dhe të drejtë në shkrimin tonë ne po publikojmë fotot e vendimit të komisionit për ndarjen e tokave sipas ligjit 7501, vendimin e Gjykatës së Apelit dhe foto nga ngastra e mbjellë.