Elbasan/ Rikthehet furnizimi me ujë pas 48 orësh pas një ndërhyrje intensive në linjën kryesore

0

Pas një operacioni intensiv që zgjati 48 orë pa ndërprerje, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan ka finalizuar me sukses punimet në linjën kryesore të transmetimit, duke bërë të mundur rikthimin normal të furnizimit me ujë në të gjitha zonat e prekura.

Ndërhyrja, e konsideruar ndër më të vështirat për shkak të kompleksitetit teknik dhe rëndësisë së sistemit, u realizua nga ekipet teknike të cilat punuan pa ndërprerje deri në përfundimin e plotë të defektit.

Përfaqësues të shoqërisë theksuan se kjo ndërhyrje ishte e domosdoshme për garantimin e funksionimit normal dhe të sigurt të rrjetit të furnizimit me ujë, ndërsa falënderuan qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin gjatë periudhës së ndërprerjes.

Një vlerësim i veçantë iu kushtua stafit teknik dhe punonjësve të angazhuar në terren, për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë operacionit.