Elbasan/ Tre aksidente rrugore, disa të lënduar dhe procedime penale për drejtuesit e mjeteve

0

 

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kanë referuar materialet në Prokurori, ku janë nisur procedime penale ndaj disa drejtuesish mjetesh, të përfshirë në ngjarje rrugore me pasoja të lehta për jetën.

Në aksin Elbasan–Piqin, shtetasi R. B., 38 vjeç, u përfshi në një përplasje me automjetin që drejtonte A. R., 24 vjeç. Si pasojë, u dëmtuan lehtë A. R. dhe dy pasagjerë në automjetin e tij.

Në aksin Cërrik–Gramsh, shtetasi M. Sh., 27 vjeç, u përplas me automjetin që drejtonte S. B., 24 vjeç. Edhe në këtë rast, S. B. dhe një pasagjere në automjetin e tij mbetën të dëmtuar lehtë.

Ndërsa në rrugën “11 Nëntori” të qytetit të Elbasanit, ndodhi një tjetër përplasje mes një automjeti dhe një motomjeti. Automjeti drejtohej nga F. L., 36 vjeçe, ndërsa motomjeti drejtohej nga E. C., 38 vjeç, i cili rezultoi se po drejtonte pa leje drejtimi. Nga përplasja u dëmtua vetë drejtuesi i motomjetit, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Të gjitha rastet janë referuar për veprime të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.