Një 32 vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme pas një aksidenti tragjik rrugor Mësohet se aksidenti ka ndodhur në Frosinone, teksa viktima është identifikuar si Endri Sejdi.
Gjithçka ka ndodhur pak pas orës 3 të mëngjesit, kur i riu po udhëtonte me një “Ford Focus” së bashku me tre shokë të tij, gjithashtu me origjinë shqiptare, kur për shkaqe ende të paqarta, makina ka përfunduar jashtë rruge dhe është përmbysur.
Nga përplasja trupi i të riut ka dalë nga makina duke rënë pa ndjenja në tokë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur ambulanca, zjarrfikësit dhe karabinierët, por fatkeqësisht nuk mund të bëhej asgjë për të riun, pasi lëndimet e marra nga përplasja ishin shumë të rënda.
Tre djemtë e tjerë të pranishëm në makinë, raportohet se janë në gjendje të rëndë, por fatmirësisht jo në rrezik për jetën. Policia po heton në vendngjarje për të përcaktuar dinamikën e saktë të asaj që ndodhi.