Evis Kushi: Kemi gati 3 skenarë për zhvillimin e mësimit në shkolla

0

Ministrja e Arsimit Evis Kushi e ftuar në Radarin Informativ në ABC me gazetaren Jonida Shehu foli për situatën epidemike në shkollat dhe kopshtet e vendit.

Kushi deklaroi se nuk ka aktualisht asnjë shkollë apo kopsht në vend i cili të jetë mbyllur për shkak të numrit të infektimeve.

Ministrja sqaroi se në rastet kur konfirmohet mësuesi me Covid, ai vetkarantinohet dhe zëvendësohet me një mësues tjetër deri në negativizimin e tij.

“Ndodh që të mbyllet ndonjë shkollë apo kopsht për shkak të dezinfektimit, 1 apo dy ditë, por nuk kemi në asnjë rast që shkolla apo kopshte të jenë mbyllur për këtë shkak”, tha ajo.

Pyetjes së gazetares Jonida Shehu në lidhje me testimin në masë për të gjithë mësuesit dhe nxënësit, Kushi iu referua deklaratës që bëri sot kreu i OBSH për Europën, i cili tha se situata në Shqipëri është nën kontroll, ndërkohë që mendon se testimi për mësuesit nuk është zgjidhje dhe mjafton të funksionojë gjurmueshmëria.

“Është folur shpesh dhe opozita kërkon testime masive. Edhe vetë kreu i OBSH tha se situata epidemike në vend është nën kontroll. Testimet masive nuk janë zgjidhje, e rëndësishme është që gjurmueshmëria të funksionojë. Edhe Ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar që testet janë katër fishuar”.

Pjesë nga biseda në ABC Radar:

Jonida Shehu: Mendoni se ishte i drejtë vendimi për mbylljen e universiteteve?

Evis Kushi: Unë do doja të isha në auditore por ne e dimë shumë mirë që Komiteti i Ekspertëve ka të gjithë mundësitë dhe pas konsultimeve dhe analizave, eksperiencave arritën në këtë konkluzion, kështu që këtë gjë nuk mund ta them unë. Konviktet mund të jenë shkaktarë për përhapjen e sëmundjes. Për ne është e rëndësishme që të minimizohet kontakti. Kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm dhe më vjen mirë që janë marrë të gjithë masat.

Jonida Shehu: Ne kemi patur një material në Universitetin Arteve, ku studentët atje duket se janë më të penalizuar, e keni menduar këtë rast?

Evis Kushi: Është situatë e jashtëzakonshme dhe sakrificat duhet ti bëjmë të gjithë. Zgjidhja është që të kemi durim dhe të respektojmë rregullat, në mënyrë që ti kthehemi sa më shpejt jetës normale. Në këtë situatë, shëndeti është i pari.

Jonida Shehu: A ka një censurë për dhënien e informacionit ndaj rasteve me infeksion në shkolla?

Evis Kushi: Nuk ka asnjë udhëzim dhe nuk ka asnjë urdhër, që të censurohet informacioni, në lidhje me infektimin në shkolla. Në rrugë zyrtare ne na informojnë çdo ditë, për çdo problematikë në çdo shkollë. Është një sistem që funksionon më së miri. Nuk është detyra e mësuesve që të informojë çdokënd në lidhje me infektimet në shkolla.

Jonida Shehu: Si i bëni mbledhjet e kabinetit qeveritar?

Evis Kushi: Mbledhjet e qeverisë bëhen prej kohësh online, ndërsa me kryeministrin jemi takuar në aktivitete që kemi. Për sa i përket skenarëve të ndryshëm në varësi të situatës epidemike, ne i kemi përgatitur të gjithë skenarët. Kemi tre skenarë për mënyrën se si do zhvillojmë mësimin. I pari është ky që jemi tani, ndërsa i dyti është kryerja e mësimit të alternuar duke u zhvilluar online dhe në shkolla, ndërsa skenari i tretë është zhvillimi i mësimit online.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu