Edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka uruar nisjen e vitit të ri akademik për studentë e pedagogë. Në një mesazh në facebook, Ministrja thotë se është mëse e vetëdijshme për paqartësitë që krijon situata aktuale, por kjo nuk duhet të na trembë.
“Përkundrazi, duhet të na japë forcë, shumë qetësi e vendosmëri që edhe përgjatë këtij viti akademik të arrijmë maksimumin” nënvizon ajo.
Më tej Kushi thekson se Komiteti i Ekspertëve ka propozuar së fundmi, që të paktën muajin e parë, mësimi të zhvillohet në distancë, pra “online”, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit.
Një vendim aspak i lehtë ky, i imponuar nga ecuria dhe dinamika e pandemisë, por që sipas saj i ka gjetur universitetet tona të përgatitura që më herët në mënyrë që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje.
Mesazhi i plotë në facebook
Të dashur studentë dhe pedagogë!
Nesër nisim një vit akademik sfidues, i cili vjen në vazhdimësinë e vitit të kaluar që u mbyll me mjaft vështirësi për shkak të pandemisë COVID-19. Ndërkohë që sfidat vazhdojnë të jenë të shumta, duket që edhe ky vit do të jetë i pazakontë dhe aspak i lehtë, jo vetëm këtu por në të gjithë globin.
Në këtë kuadër, nga thellësia e zemrës dua t’ju uroj të gjithëve pa përjashtim një vit akademik sa më të mbarë e të suksesshëm!
Si Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, jam mëse e vetëdijshme për paqartësitë që krijon situata aktuale, por kjo nuk duhet të na trembë. Përkundrazi, duhet të na japë forcë, shumë qetësi e vendosmëri që edhe përgjatë këtij viti akademik të arrijmë maksimumin.
Komiteti i Ekspertëve ka propozuar së fundmi, që të paktën muajin e parë, mësimi të zhvillohet në distancë, pra “online”, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit. Një vendim aspak i lehtë ky, i imponuar nga ecuria dhe dinamika e pandemisë, por që fatmirësisht i ka gjetur universitetet tona të përgatitura që më herët në mënyrë që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje.
Nga takimet e realizuara kohët e fundit me drejtuesit e universiteteve, jam informuar që janë marrë të gjitha masat e nevojshme që të kemi një nisje optimale në këtë fillim-viti akademik. Më vjen mirë që çdo universitet ka tashmë gati metodën e tij specifike të “mësimit të kombinuar”, si “online”, ashtu edhe në auditore kur kjo të jetë e mundur, në respekt të plotë të masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në fund, një lutje për të gjithë ju, që në asnjë moment të mos neglizhoni respektimin e masave anti-COVID. Kjo është e vetmja mënyrë që ne ta kapërcejmë sa më lehtë këtë periudhë dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit që të gjithë dëshirojmë.
Suksese dhe shëndet të mirë për të gjithë!