Flet mjeku që u godit nga i riu në spital: Më qëlloi nga pas

0

Një 24-vjeçar u arrestua nga policia në Tiranë pasi akuzohet se ka goditur një mjek në ambientet e spitalit. Mjeku që është dhunuar nga i riu është Petrit Gjorgji.

Ky i fundit është mjek pranë urgjencës së QSUT në kryeqytet. Bëhet me dije se konflikti ka ndodhur dje. 24-vjeçari i cili ka dhunuar mjekun ishte i afërmi i një pacienti.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. B., 24 vjeç, pasi për shkak të detyrës ka goditur mjekun e një spitali”, njoftoi policia për ngjarjen.

Mjeku Petrit Gjorgji ka treguar si ndodhi incidenti. Ai thotë se kishin një pacient me probleme me veshkat, ndërsa për një moment ka rënë nga krevati. Gjormi shpjegon se me ndihmën e kolegëve janë munduar ta ngrenë.

Më tej ai thotë se ka kapur një pjesë të trupit, nga këmba për ta ngritur. Ky moment ka irrituar të afërmin që shoqëronte pacientin dhe e ka goditur nga pas mjekun.

“Kishim një pacient për veshkat. Në një moment ka rënë nga krevati dhe me ndihmën e kolegëve të tjerë kemi shkuar për ta ndihmuar. Për ta ngritur, unë e kapa jo të gjithë trupin, por nga këmbë, për shkak të pozicionit dhe e vendosëm sërish në krevat. Një i afërm, që nuk po i shërbente e pa dhe ka ardhur më ka goditur nga pas. Ndërhynë mjekët dhe infermierët. Denoncova dhe erdhi policia që e ka marrë”, thotë mjeku.

Gjorgji rrëfen më tej se ky është rast i përsëritur për të. Sipas mjekut kjo nuk mund të ndodhë me bluzat e bardha.

“Është rast i përsëritur për mua. Më ka ndodhur edhe në vitin 2004. Kjo nuk mund të ndodhë me bluzat e bardha. Unë do e ndjek çështjen, duhet të bëhet drejtësi”, u shpreh mjeku.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu