Një atentat me armë zjarri u shënua në Bulqizë ditën e sotme, fatmirësisht pa të lënduar!
Makina ku udhëtonin kushërinjtë Shaqir dhe Erlind Tollja u sulmua me breshëri plumbash në dalje të “qytetit të vjetër”.
Autori është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga Policia.
Sipas asaj që mëson Ora News, bëhet fjalë për shtetasin Besmir Zeneli.
Nga të dhënat paraprake raportohet se shkak për ngjarjen është një konflikt i mëhershëm mes dy familjeve për një minierë kromi!
Shaqir Tollja, në dëshminë e parë para grupit hetimor, është shprehur se ata janë sulmuar dhe dhunuar në mënyrë të vazhdueshme nga Besmir Zeneli.
Sipas tij, në muajin gusht është kërcënuar i biri i tij 15-vjecar, ngjarje për të cilën thotë se ka bërë denoncim, por policia nuk ka reaguar.
Pjesë nga dëshmia e tij:
“Më 12 gusht të këtij viti ka pasur një konflikt me kushërinjtë tanë. Më 18 gusht, më ka kapur fëmijën tim 15 vjeç dhe ma ka kërcënuar, i ka vënë armën në kokë. Bëra denoncim në polici dhe na thanë se nuk është një ngjarje tragjike. Më 9 shtator më rrahën mua në 6 e gjysmë të mëngjesit, vetëm se kishim bërë denoncimin për djalin. Ishte vetë i katërti, të maskuar, nxorën armët e më rrahën. Unë isha duke shkuar në punë, më dolën në afërsi të xhamisë, në qytet të ri.
Sot isha duke ikur për punë. Autorët ishin me një “Toyota Land Rover”. Nuk e dimë kush qëlloi nga brenda makinës, pasi ishte me xhama të zinj. Ne i njohim autorët. Ne kërkojmë nga shteti që të zbardhet sa më shpejt ngjarje, që të mos bëjmë ndonjë të pabërë, se dhe ne mund të hakmerremi. Jemi një fis i tërë që rrimë me frikë prej tyre”.