Gjelat e detit mbeten pa u shitur në Elbasan , fermerët drejt falimentimit

0
Screenshot

Më shumë tregtarë dhe fermerë sesa blerës. Kjo është panorama e fundvitit në tregun e shpendëve në Elbasan. Fermerët ankohen për mungesë të fuqisë blerëse, ndërsa qytetarët thonë se çmimet janë të larta dhe të papërballueshme për ta.

Ismail Preçi, nga fshati Bujqës i Elbasanit, prej më shumë se 20 vitesh merret me mbarështimin e gjelave të detit. Ai shprehet se këtë vit çmimi ka pësuar rënie të ndjeshme, duke e bërë të pamundur mbulimin e shpenzimeve dhe duke i çuar fermerët drejt falimentimit. Aktualisht, kilogrami i peshës së gjallë tregtohet nga 700 deri në 800 lekë, ndërsa nuk kanë munguar as rastet e shitjes me veresi.

Edhe fermerë të tjerë ndajnë të njëjtin shqetësim, duke theksuar se aktualisht nuk po arrijnë as të mbulojnë kostot e prodhimit, e jo më të sigurojnë fitim.

Nga ana tjetër, qytetarët shprehen se çmimet janë të larta dhe në shumicën e rasteve detyrohen të largohen pa kryer blerje. Sipas tyre, kushtet ekonomike nuk ua lejojnë shpenzimet për tryezën festive, edhe pse janë të vetëdijshëm se rritja e shpendëve kërkon mund dhe investim.
Tryeza festive, vit pas viti, ka shënuar rritje të ndjeshme të kostos, pasi çmimet e produkteve ushqimore janë rritur pothuajse në tërësi. Situata paraqitet edhe më e vështirë për familjet me të moshuar, të cilët përballen me të ardhura të kufizuara dhe pamundësi për të përballuar shpenzimet e fundvitit.