Gjergj Kastrioti Skënderbeu nё 555-vjetorin e vdekjes

0
Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborret e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet. Me Kuvendin e Lezhës më Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbër të organizuar – as para tij as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit

R.SH. – Vatikan

Më 17 janar shënohet përvjetori i 555 i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (6 maj 1405 – 17 janar 1468), figurës më të shquar në historinë e shqiptarëve, heroit kombëtar të popullit shqiptar, Atletit të Krishtit, arbënorit e të krishterit të flaktë, sikur e quajtën Papët e Romës.

Si çdo vjet, më datën 17 janar,  populli shqiptar, kudo, e përkujton heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, në ditën e kalimit të tij në amshim. Atleti i Krishtit, siç e quajti bota e krishterë, Gjergj Kastrioti ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare.

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e asaj kohe. Kështu, për 25 vjet me radhë, Gjergj Kastrioti e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huaj.

Gjergj Kastrioti jo vetëm që mbrojti dhe shpëtoi popullin e vendlindjen, po me luftën e tij e pengoi, madje e ndaloi edhe ekspansionin osman drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes.

Pastaj, duhet përmendur se, me Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti vuri edhe themelet e një Shteti Arbër të organizuar – as para tij, as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit.

Lidhur me figurën madhore të heroik kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut e 555-vjetorin e vdekjes së tij, po përkujtojmë fjalët kuptimore të Papës Shën Gjon Palit II shqiptuar në aeroportin e Tiranës më 25 prill 1993 gjatë vizitës së tij papnore historike në Shqipëri:
Është detyrë të kujtojmë në këtë rrethanë heroin kombëtar e të krishterin e flaktë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, “mbrojtësin e Jezu Krishtit”, i cili këtë vit (1993) kishte 525 vjetorin e vdekjes. Si në kohët e tij shumë të vështira, Kisha edhe sot nuk do të mungojë të ofrojë kontributin e vet të mundshëm për zhvillimin e plotë material e shpirtëror të popullit shqiptar. Ndërsa në fjalimin e tij në Sheshin Skënderbe në Tiranë mò 23 prill 1993 Ati i Shenjtë Karol Wojtila duke u fol shqiptarëve mes tjerash theksoi: “Sa herë në të kaluarën ju është dashur të mbroni me forcë identitetin tuaj. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shqua figura e lartë e të krishterit Gjergj Kastrioti Skënderbeut, i respektuar nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e popullit shqiptar” (Gjon Pali II 25 prill 1993 Tiranë)

Pra, në qiellin shqiptar emri i Gjergj Kastriotit ka qenë dhe është një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve, për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin, vlerat dhe  për t’i hapur rrugën e përparimit të mirëfilltë. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, atdhedashurisë, harmonisë e demokracisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu