Gramsh – Arrestohet 63-vjeçari që kultivonte kanabis në pyll, sekuestrohen armë e municione në banesë

0

Një tjetër goditje ndaj veprimtarisë kriminale të kultivimit të lëndëve narkotike është shënuar në Gramsh, në kuadër të planit operativ kombëtar “Koordinata”. Pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive, Policia e Gramshit finalizoi me sukses operacionin e koduar “Survejimi”, duke arrestuar në flagrancë një shtetas që kishte mbjellë bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar dhe mbante në banesë armë pa leje.

I arrestuari është Myrtezan Hoxha, 63 vjeç, banues në fshatin Grazhdan, i cili u kap nga shërbimet e Policisë teksa kujdesej për 35 bimë narkotike të llojit cannabis sativa, të kultivuara në pyll pranë banesës së tij.

Gjatë kontrollit në banesë, policia zbuloi dhe sekuestroi:

2 armë gjahu të mbajtura pa leje,

2 radio komunikimi që imitonin pajisjet e Policisë,

60 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Po në lidhje me këtë rast, është shpallur në kërkim edhe djali i të arrestuarit, A. Hoxha, 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi nga hetimet dyshohet se ka bashkëpunuar me babain e tij për kultivimin e bimëve narkotike. Vijojnë veprimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Bimët narkotike janë asgjësuar në vend, ndërsa të gjitha provat materiale janë sekuestruar në funksion të hetimeve.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit, për ndjekjen penale të shtetasve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, për veprat:

“Kultivimi i bimëve narkotike”

“Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”

“Mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”

“Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Policia e Elbasanit nënvizon se operacionet kundër kultivimit të kanabisit do të vijojnë pa ndërprerje dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo veprimtari të paligjshme.