Gramsh/ Historia e 15-vjeçares që lindi fëmijën në koma

0

Nga Anila Dedaj

Në 40 shtëpitë e fshatit të vogël Irmath, 34 km larg Gramshit, varfëria shuan pa mëshirë ëndrrat rinore, ndërsa prindërit duan ende të besojnë se fëmijët e tyre do të kenë një të ardhme ndryshe. Kufijtë mes të qenit fëmijë e i rritur në këto anë shkrihen ashpër, në mungesë të lojërave, arsimimit e të një jetese sociale normale. E tillë është historia e Edmondës, që ndjesinë e frikshme të kutisë së qumështit të foshnjës që zbrazet, pa pasur me se ta zëvendësojë, e provoi sapo kapërceu pragun e fëmijërisë.

15 vjet të mbushura në 20 shtator, teksa përkund djalin e saj 1-muajsh, e ka të pamundur të kujtojë lindjen e tij. 8 shkurti i ardhjes vogëlushit në këtë botë, ka qenë një betejë në kufijtë e së pamundurës për të dhe familjen Mema, ku Edmonda ka shkuar nuse prej fshatit Mukaj ku u rrit.

Ajo nuk mban mend asgjë prej momentit kur atë mëngjes ra në gjendje kome, e tensionit që shoqëronte vjehrrën Sheqeren e dy kunatat, nga brenga se mos i kumbisnin. Me ambulancën e improvizuar një orë larg në këmbë në fshatin Gribë, e pa asnjë mjet udhëtimi a lekë në portofol, duhej një mrekulli për ta shpëtuar familjen nga gjëma e vdekjes.

Një grimë fati në fatkeqësi në këtë 8 shkurt, që qëlloi të jetë edhe kulmi i pandemisë, bën që thirrja e dëshpëruar për ndihmë e familjes Mema, të gjente përgjigje. Një makinë e rastit do t’i çonte në fshatin Gribë, teksa ambulanca ishte lajmëruar. Dy prindërit e Refitit, bashkëshortit 18-vjeçar të Edmondës, së bashku me kunatën u nisën për në Tiranë. Rrugët e pashtruara zgjateshin para syve të tyre e vështirësonin shpëtimin e Edmondës.

“5 minuta më vonë, dhe nuk do të kishin ardhur të gjallë”, u kish thënë mjeku familjarëve. Nën drithërimat e të ftohtit dhe rreptësisë së masave anti-Covid, ata përjetonin ankthin e pritjes. Pas orëve të gjata nipi do të lindte, por fati i Edmondës ishte ende i pasigurt. Sheqerja dhe vjehrri Gëzimi prisnin ditë e natë në të ftohtin e dyerve të spitalit që nusja të thoshte një fjalë.

Vetëm pasi shohin nusen mirë, çifti Mema mund t’i lejojë vetes ca grimca gëzimi për ndjesinë e të qenit gjyshër. E megjithatë, pasi hija e vdekjes është përzënë përkohësisht, s’kanë kohë për të humbur. Për barrën e ilaçeve që do të shërojë Edmondën duhen gjetur lekët. 25 mijë lekë që ata nuk i kanë, e që në mungesë të një borxhi, shteti s’do mund t’ia siguronte. Jeta e 15-vjeçares ishte sërish në rrezik, e varej në zemërgjerësinë e ndonjë të afërmi e të rastësisë.

Kjo ishte hera e parë për tri gratë e familjes Mema që vinin në Tiranë. Edmonda 15-vjeçare nuk kishte udhëtuar asnjëherë përtej Gramshit. Prej dyerve të ambulancës me të cilën u kthye në vendlindje, s’mundi të shihte asgjë prej asaj që ndodh në kryeqytet me bashkëmoshataret e saj.

40 lekëshi i kiles së dëllinjave që Gëzimi mbledh në Mal është pak, për të mbajtur gjallë frymën e 7 anëtarëve të familjes Mema. 1,9 dollarë në ditë nuk arrihen edhe sikur dëllinjat të jenë të zeza, që qëllon të shiten me 10 a 20 lekë më shumë. Kjo do të thotë që kjo familje jo vetëm që është pjesë e 5,8 për qind të shqiptarëve që sipas “Borgen project” jetojnë në varfëri ekstreme, por që e ka tejkaluar çdo ekstrem rezistence. Janë 63 për qind të shqiptarëve që nuk përballojnë dot as gjysmat e nevojave bazike, por Edmonda 15-vjeçare, ka hequr dorë nga shumë prej tyre e s’dëshiron tjetër veçse të veshë e ushqejë të birin.

Në muajin e dytë pas lindjes Edmondës nuk i është larguar velloja e zbehtë. Refiti, bashkëshorti nuk mund të ndihmojë shumë, për shkak të shëndetit të tij të brishtë, rënduar nga gjendja e verbërisë së trashëguar. Mungesa e një diagnoze të saktë, gjatë këtyre 18 viteve, siç tregon e ëma Sheqerja ka qenë e kushtëzuar prej kostos mjekësore.

Shpenzimet mjekësore për Sheqeren e shqiptarët e tjerë të varfër mbeten një barrë e rëndë. E raporton një realitet të tillë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërsa thekon se shërbimet spitalore në Shqipëri, përbëjnë një nga burimet kryesorë të varfërisë në vend. Pagesat e xhepit për shëndetësinë, siç dëshmon OBSH kanë shtyrë në varfëri 8 përqind të familjeve shqiptare, ndërsa për 12 për qind të tyre shpenzimet kanë qenë katastrofike, duke lënë nevojat bazë të paplotësuara. Në kushte të tilla për familjen Mema, e drejta për t’u kuruar bëhet një luks i paarritshëm, e përmasat e varfërisë për Edmondën 15-vjeçare, rriten në hapësirën e ngushtë të një dhome ku janë të detyruar të qëndrojnë 7 veta.

Drama e familjes Mema, e të tjerave të ngjashme në periferi, tregojnë qartë se varfëria është një fakt që për t’u lexuar s’ka nevojë për shifra. Atë e gjënë të shtruar, në rrugët plot gropa si të Irmathit të Gramshit, përmes të cilave mund të ecin veçse makinat e shtrenjta… si ato që përdorin politikanët, kur zbrazin premtimet e radhës. E gjen në shkollat e rrënuara… Madje, edhe farat e fidanët u rëndojnë fshatarëve trastën e brishtë të bukës së përditshme , ndaj të punuar shikon veç ndonjë copëz tokë…Kjo, nuk është toka e premtuar e 2013-ës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu