Hapja e portave të Hidrocentralit të Banjës ka përmbytur një sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore, sera dhe ullinj në fshatrat Linas dhe Selitë, në Bashkinë e Cërrikut. Një ndër fermerët më të prekur rezulton Daniel Tafa nga fshati Linas, Njësia Administrative Mollas. Këto janë pasojat e përmbytjes, si rezultat i hapjes së portave të hidrocentralit dhe daljes nga shtrati të lumit Devoll, i cili përshkon zonën.
Fermeri thotë se brenda dy muajve është përmbytur dy herë. Rreth 3 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë, ndërsa dëmet më të mëdha janë shkaktuar në sera.
Fermeri nga Cërriku ende nuk e ka bërë bilancin e dëmit ekonomik, i cili, sipas tij, është i pallogaritshëm. Ai i bën thirrje shtetit shqiptar të vërë dorë mbi fermerët, pasi janë drejt falimentimit. Nëse nuk do të ndihmohet, thotë se do të largohet përfundimisht nga Shqipëria.
U kthye para 7 vitesh nga emigrimi me shpresën se do ta ndërtonte në vendlindje të ardhmen e familjes së tij, por sot përballet me pasiguri nëse shteti shqiptar do t’i gjendet pranë.
Mësohet se në dy ditët e para të hapjes së portave të Hidrocentralit të Banjës, shkarkimet kanë qenë 290 m³/sek, ndërsa së bashku me prodhimin e energjisë elektrike kanë arritur në 390 m³/sek.





