GRAMSH- Pas rezultateve të analizave, ku vezët dolën të kontaminuara me salmonelë, AKU ka marrë masën e pezullimit të aktivitetit të Kopshtit nr.1 në Gramsh. Mbyllja e kopshtit do të vazhdojë deri në rikthimin e të gjithë parametrave të sigurisë shëndetësore dhe dezinfektimeve të mëtejshme.
Skandali i salmonelës në kopshtin e fëmijëve në Gramsh u identifikua një javë më parë kur disa fëmijë shfaqën simptoma të njëjta të sëmundjes duke nxitur dyshime tek mjekët të cilët kërkuan analiza të mëtejshme. ISHP kreu analizat për 79 persona të këtij kopshti, ku 17 prej tyre rezultuan pozitiv me virusin e rrezikshëm, 16 fëmijë dhe psikologia e kopshtit.
Pas analizave që iu janë bërë mishit të pulës, qumështit dhe vezëve, këto të fundit kanë dalë pozitive. Gjithashtu nga analizat e mëparshme të kryera në qumësht dhe mishin e pulës, rezultatet ishin negative. Ndërkohë vetëm dy ditë më parë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka bërë me dije se nga analizat e kryera, nuk kanë rezultuar me përmbajtje salmonelë për të paktë dy produkte.
Tashmë është Prokuroria e Elbasanit e cila pas analizave do të nisë zbatimin e procedurave ligjore të parashikuara dhe hetimet e mëtejshme. Gjithashtu mësohet se edhe kompania “Nelsa shpk” po hetohet për tregtimin e produkteve të kontaminuara të cilat paraqesin rrezikshmëri shëndetësore.