I kapën 49 kg kokainë mes bananeve,arrestohet babai i Arbër Çekaj

0

49 kilogramë kokainë u sekuestruan në portin e Durrësit pas mesnatës së të mërkurës. Në pranga ra porositësi i saj, Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt, i arrestuar në mars të vitit 2018, për trafikimin e 613 kilogramë lëndë narkotike kokainë.

Ashtu si edhe i biri, Selimi ndoqi të njëjtën rrugë dhe skemë për të fshehur kokainën. Sasia e drogës ishte futur në pjesët metalike të një kontenieri i cili ishte nisur nga porti i Guajakilit në Ekuador, kishte bërë një ndalesë në Mersini të Turqisë dhe destinacioni final ishte Porti i Durrësit.

Ngarkesa kishte rreth dy ditë në port, por policia ka pasur dyshime, se në kontenierin me banane ka pasur kokainë dhe në bashkpunim me autoritetet portuale, kanë bërë një skanim të dytë ku në shasinë e tij, janë gjetur disa pako me madhësi të ndryshme.

Vetë porositësi i bananeve dhe kokainës, Selim Çekaj ka refuzuar që të ushtrohet kontroll i kontenierit dhe ka kërkuar që ta çojë në magazinën e kompanisë së tij, Ecoalmax, në Maminas. Magazina është e njëjta që ka qenë në përdorim edhe nga kompania në pronësi të djalit të tij, Arbër Garden, brenda së cilës në shkurt të 2018, u gjetën 613 kilogramët e kokainës.

Për këtë sasi droge, që vinte nga Kolumbia dhe ishte fshehur mes 20 ton bananeve, u arrestua shoferi i kamionit të kompanisë së Arber Çekajt, Armando Pezaku dhe menaxheri Donaldo Lushaj.

Ndërsa, Arbër Çekaj, u vu në pranga në Gjermani tre javë pas sekuestrimit të kokains. Ai qëndroi në burg, ndërsa në shtator të vitit 2019 u ekstradua nga gjermania për t’u përballur me akuzat e drejtësisë shqiptare.
Prokuroria fillimisht kërkoi 21 vite burg për Çekaj, por pas gjykimit të shkurtuar, përfitoi ulje me 1/3-tat dhe u dënua me 14 vite burg.

Në seancat e zhvilluara ndaj tij, Arbër Çekaj, i ka mohuar gjithnjë akuzat që të ketë qenë ai personi që kishte porositur kokainën. Por siç duket, aktiviteti i trafikut të drogës, u mbajt gjallë nga babai i tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu