I vodhi portofolin pacientit që vdiq nga Covid, dhe mori lekët nga banka, arrestohet infermierja

0

Një infermiere e spitalit Covid 1 në Tiranë është arrestuar nga policia për vjedhjen e parave të një pacienti me Covid-19 që ka qenë i shtruar në Spitalin Infektiv

Rasti është denoncuar nga emisioni Stop në Tv Klan javën e kaluar. Infermierja e arrestuar është Ronida Hysa 30 vjeç nga Durrësi.

Në bazë të pamjeve filmike të analizuara nga Policia dhe Prokuroria, infermierja Ronida Hysa rezulton si autorja e vjedhjes së 600 mijë Lekëve nga bankomati në llogari të pacientit K. D., i cili ka qenë i shtruar në Spitalin infektiv, ku ka ndërruar jetë si pasojë e sëmundjes COVID-19.

Pas arrestimit, infermierja e turnit Ronida Hysa ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Ajo akuzohet për vjedhje dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën.

Djali i të ndjerit kishte bërë denoncim në Komisariatin Nr.4 të Policisë së Tiranës dhe rastin e kallëzoi edhe në emisionin Stop. Ai tha se babai i tij kishte në portofol 200 mijë Lekë të vjetra. Pasi i ati ndërroi jetë, stafi i spitalit i ktheu portofolin e të atit.

Por vuri re së mungonin 200 mijë Lekë të vjetra dhe karta e bankës së bashku me letrën ku ishte kodi PIN. Emisioni Stop nga investigimi zbuloi se paratë nga bankomati ishin tërhequr në 3 raste të ndryshme nga 200 mijë Lekë, në total 600 mijë Lekë. Dëmi i shkaktuar është vjedhja e 800 mijë Lekëve të vjetra së bashku me paratë cash në portofol.

Ky është rasti i dytë i vjedhjeve brenda spitaleve Covid në Tiranë që denoncohet nga emisioni Stop në Tv Klan. Rasti i parë ka qenë i sanitares Tire Alldërvishi në spitalin Covid 1 (Sanatorium) që i merrte para vajzës së një pacienteje që humbi jetën nga koronavirusi.

Njoftimi i plotë i Policë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetases R. H., 30 vjeçe, banuese në Durrës.

Ndalimi i kësaj shtetaseje u bë pasi në bazë të pamjeve filmike rezulton si autorja e vjedhjes së një shume parash në portofolin e shtetasit K. D., i cili ka qenë i shtruar në spitalin infektiv, ku ka ndërruar jetë nga COVID-19.

Pas kallëzimit të bërë për këtë ngjarje, nga djali i të ndjerit, shtetasi F. D., 25 vjeç, i cili ka deklaruar se nga llogaria bankare e të atit ishte tërhequr shuma 60.000 lekë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë kanë organizuar punën për identifikimin e autorit.

Në bazë të provave filmike ka rezultuar se edhe shuma e parave është tërhequr nga shtetasja R. H., infermiere në spitalin infektiv, e cila ka pranuar autorësinë e ngjarjes, që është bërë mediatike edhe nga emisioni investigativ “STOP”.

Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjygjësor Tiranë, për veprime hetimore të metejshme, për veprat “Vjedhja” dhe “Vjedhja” duke shpërdoruar detyrën”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu