Zhurmat si një ndotje akustike e rrezikshme për shëndetin e njeriut

0

 

Nga Hyqmet Zane

Ka qenë një këngë që këndohej për Tiranën “Zhurmë, zhurmë, shumë zhurmë” dhe më pas “Tirona jonë…” etj, a thua se zhurma ishte tipari dallues i një qyteti që pretendon të klasifikohet si europian. Edhe pse nuk e dëgjoja shpesh, më acaronte fakti që zhurma ishte si refren, sepse, jo vetëm unë personalisht, por edhe shumë e shumë qytetarë, i urrejmë zhurmat dhe shkaktuesit e tyre i shikoj më me shumë inat.

Por më shumë se Tirana, në qytetet e tjera të Shqipërisë e veçanërisht në Elbasan, zhurmat janë bërë si refren i një kënge se kudo ku shkojmë përballemi me zhurma. Zhurmat na janë bërë si bashkëudhëtar i padëshirueshëm në rrugë nga fishkëllimat e rrotave të makinave që ecin me shpejtësi, zhurma nga motorrët që lëvizin me skrapamento të zhurmëshme dhe shumë acaruese, zhurma makinash që lëshojnë rrapëllima tmerruese, zhurma nga sirenat e makinave të policisë që vend e pa vend u bien borive a thua se ka ndonjë aksion të rëndësishëm, zhurma në lokale nga muzikat si të jemi në një pub, zhurma nga të folurit me zë të lartë e të tjera si këto.

Qartësisht dhe me zë të plotë dua të them se nuk ka ndodtje më të madhe akustike nga zhurmat që shkaktojnë edhe sëmundje psikologjike të rënda dhe humbje qetësie. Shkon në një lokal për një kafe dhe kërkon të shijosh pak kohë në qetësi, ndjen se të folurit me zë të lartë dhe muzika në sfond që nuk i merret vesh se e çfarë lloji është, por vetëm zhurmë, zhurmë pa fund. Dhe kur e pyet të zotin e lokalit se përse ngrihet zëri i muzikës, të përgjigjet se “nuk duan njerëzit të dëgjohen bisedat e tyre” ?! O Zot, thash me vete, përse zhurma është mjeti i duhur për të mbajtuir qetësinë në një lokal ?

Në shumëllojshmërinë e ndotjes nga pluhurat, nga ndërtimet pa kritere, ndotja nga tymrat e oxhaqeve të uzinave që veprojnë në metalurgjinë e zezë dhe më tej, u janë shtuar edhe ndotja nga zhurmat që në kompleksin e tyre sjellin një gamë të gjerë pasojash të rënda në shëndetin e qytetarëve . Nëse në qytetet shqiptare kjo është kthyer në normalitet, kur shkon në vendet europiane, ndjen qetësinë e gjithëçkaje, sidomos nga mungesa e zhurmave, as boritë e makinave nuk ka shans t’i dëgjosh, kurse në lokale ka një muzikë të lehtë në sfond që të qetëson, të krijon kënaqësinë e nevojshme.

Ka dhe një institucion që quhet Agjencia Rajonale e Mjedisit që duhet të monitorojë ndotjet dhe llojet e tyre, por asgjë prej saj nuk pritet se nuk i pyet njeri, askujt nuk i është vendosur një gjobë, veç bëjnë kontrolle dokuemntash sa për të thënë që po bëjnë punë dhe zhurmat nga ndotësit gjigandë sjellin shqetësime të përditshme dhe pa asnjë lloj përgjegjësie. Në mes të natës një qytetar me papërgjegjshmëri në orën 24 të natës shpërthen fishekzaret për qef të vet sikur është vetëm ai në qytet dhe jo që shkakton një prishje të qetësisë dhe askush nuk i thotë gjë. Bile ka raste kur një varg makinash me dasmorë që kalojnë përmes qytetit i bien borive shoferët e tyre si për të thënë “ej shikoni se po martohemi ne”, duke harruar se është një sjellje e pahijshme dhe e palejueshme që nuk mund të pranohet si rregull. Kam qenë i pranishëm në një shtet europian kur një çift shqiptarësh që martoheshin me një varg makinash i binin borive të makinave që në momentin më të parë u ndaluan nga policia dhe u shoqëruan në institucionin policor dhe veç i ndaluan për disa orë, por u dhanë edhe një gjobë të majme për prishje të rendit publik dhe shkelje të rregullave të qarkullimit dhe mbi të gjitha për një ndotje akustike nga zhurma që bënë me rënien e borive.

Ne e duam Europën për qytetërimin e saj, por Europa ka rregulla. Në këtë drejtim, me ndihmën e Bashkimit Europian në vendin tonë po zbatohet projekti “Mushkëri të Gjelbëra për Qytetet Tona”, një platformë alternative dhe monitorimi për cilësinë e ajrit, ndotjen nga zhurmat dhe gjelbërimin urban për ndikimin e politikave në nivel vendor. Ky projekt mbështetet financiarisht nga Delegacioni I BE në Tiranë, zbatohet në kater rrethe, Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Shkodër dhe drejtohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit në bashkëpunim me organizaten Milieukontakt Albania Tiranë.

Sipas kryetarit të Klubit Ekologjik në Elbasan, ing. Ahmet Mehmeti: “Masat për zvogëlimin e ndikimit të zhurmës në mjedisin urban të qyteti tone duhet të kenë përparësi të madhe. Ne rekomandojme: edukimi i publikut është kërkesa më e rëndësishme e shoqërisë. Programet e ndërhyrjes për zvogëlimin e zhurmës mund të mos kenë sukses pa pjesëmarrjen e popullatës. Duhen përdorur mjetet moderne të komunikimit për të gjeneruar ndërgjegjësim masiv ndaj ndikimit negativ të ndotjes nga zhurma. Të sigurohet kontrolli periodik i mjeteve të transportit që gjenerojnë zhurmë. Të parashikohen ndërhyrjet në sinjalistikën rrugore, ku të përfshihen në të sinjalet që lidhen me zhurmat si dhe vendosjen e tyre në pika të caktuara. Të përmirësohet qeverisja urbane, nëpërmjet rritjes së transparencës dhe llogaridhënies për zbatimin e suksesshëm të të gjitha politikave të menaxhimit dhe planizimit urban.Të promovohen sigurimi i objekteve dhe masave për zvogëlimin e zhurmës urbane siç janë sigurimi i brezit mbrojtës të gjelbër dhe hapësirave të mbjella me drurë dhe shkurre zbukuruese midis zonave të banuara dhe rrugës kryesore, si një nga masat më eko-miqësore për të reduktuar nivelin e ndotjes. Të bëhen përpjekje për zvogëlimin e zhurmës, që në projektimin e ndërtimeve te reja. Të përcaktohen me rregullore distancat midis rrugëve (sipas klasifikimit të tyre) dhe banesave. Të sigurohet mirëmbajtja e sistemit rrugor. Të forcohet puna për zbatimin e standardeve të përcaktuara për zhurmat urbane dhe monitorimin e vazhdueshëm të tyre”.
Të flasësh me gjuhën e të vërtetave në institucionet shtetërore aktuale, do të duhet të përballosh edhe ndotjen nga injoranca e të ashtuquajturve specialistë me shkollë “militantizmi” që janë bërë barrë edhe vetë institucioneve dhe qytetarëve duke prodhuar padrejtësi në çdo drejtim..

“Zhurmë, zhurmë, shumë zhurmë …” është kënga që meriton ndëshkim për të mos dëgjuar më zhurmat në asnjë ambjent publik me impakte negative dhe shqetësime psikologjike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu