Informacion zyrtar mbi situatën nga reshjet e shiut në Qarkun Elbasan

0

Sipas informacionit zyrtar të orës 08:15, reshjet e shiut kanë sjellë problematika në disa bashki të Qarkut Elbasan.

Në bashkinë Belsh, gjatë orëve të mëngjesit është rritur intensiteti i reshjeve, duke shkaktuar prani uji në disa banesa të tjera, përveç dy rasteve të raportuara më herët. Gjithashtu, disa banesa paraqiten në rrezik. Në akset rrugore të bashkisë janë evidentuar inerte në rrugë, të cilat janë pastruar, ndërsa aktualisht nuk raportohet për probleme në qarkullim.

Në bashkinë Cërrik, në Njësinë Administrative Shalës, disa banesa rrezikohen si pasojë e bllokimit të një kanali kullues dhe grumbullimit të ujit në sasi të mëdha. Bashkia Cërrik është njoftuar për marrjen e masave të nevojshme.

Në bashkinë Elbasan, janë përmbytur pesë banesa në zonën e Uzina 12 të ish-Kombinatit Metalurgjik Elbasan, si pasojë e bllokimit të kanalit kullues gjatë punimeve që po kryhen nga firma “Salillari” në kuadër të projektit të Korridorit 8. Në zonë janë nisur mjetet e firmës për normalizimin e situatës.

Në Njësinë Administrative Gjergjan, si edhe në vijim në fushën e Muriqanit, janë evidentuar përmbytje të tokave bujqësore si pasojë e bllokimit të kanalit kullues KK3. Për këtë situatë është njoftuar Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Korçë për ndërhyrje.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Elbasan vijon monitorimin e situatës në terren dhe koordinimin me strukturat përkatëse për menaxhimin e emergjencës.