Moti i keq/Përmbyten dy banesa në Belsh, disa fshatra në Cërrik dhe Peqin në errësirë

0

Reshjet e shiut që kanë vijuar gjatë orëve të natës në Qarkun e Elbasanit kanë qenë sporadike dhe me intensitet të ulët, ndërsa sasia e reshjeve të rëna është regjistruar në 11 mm. Deri në këto momente, situata paraqitet e qetë dhe pa problematika të theksuara.

Sipas informacionit zyrtar të përditësuar në orët e para të mëngjesit, vetëm në Bashkinë Belsh është raportuar prani uji në dy banesa, njëra në qytetin e Belshit, në zonën e ish-SMT-së, dhe tjetra në fshatin Qafë Shkallë. Njoftimi është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë së Qarkut Elbasan rreth orës 07:00, ndërsa Bashkia Belsh është vënë në dijeni për marrjen e masave të nevojshme.

Në bashkitë e tjera të qarkut nuk raportohen problematika apo situata emergjente, ndërkohë që akset rrugore nacionale dhe rurale janë të hapura dhe të qarkullueshme për mjetet. Në aksin rrugor nacional Gramsh–Moglicë është konstatuar rënie inertesh në rrugë, të cilat janë pastruar nga firma kontraktuese, duke rikthyer normalitetin e qarkullimit.

Sa i përket prurjeve ujore, lumenjtë dhe përrenjtë janë në kuota mesatare dhe aktualisht nuk paraqesin rrezik për përmbytje.

Ndërkohë, në furnizimin me energji elektrike gjatë natës janë shënuar stakime të përkohshme. Aktualisht raportohet i stakuar fidri në Njësinë Administrative Përparim, Bashkia Peqin, si dhe fidri Klos–Mollas në Bashkinë Cërrik, ndërsa po punohet për normalizimin e situatës.