Ja si personat e arrestuar tentuan të transportonin 14 litra vaj hashashi

0

 

SENAD NIKSHIQI/ Policia e Shkodrës ka goditur një grup kriminal që ushtronte veprimtarinë e tij në fushën e narkotikëve. Në pranga janë vënë katër persona.

Uniformat blu kanë finalizuar operacionin e koduar “Rrjeta” në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale 14 litra vaj hashashi, 65.6 gramë lëndë narkotike në formë çokollate, një armë gjahu, një sasi fishekësh, sasi parash, 6 aparate celulare dhe 1 automjet.

Sipas Policisë, në pranga kanë rënë shtetasit Mehmet Uraj, 72 vjeç, Arjan Uraj, 36 vjeç, Mustafa Uraj, 26 vjeç, që të tre banues në fshatin Mes të Njësisë Administrative Postribë, pjesë e Bashkisë Shkodër. Personi i katërt i arrestuar është shtetasi Halis Uraj, 30 vjeç banues në Shkodër.

Arrestimi i tyre është bërë pasi Policia i ka gjetur sasinë e konsiderueshme të vajit të hashashit, kanabisin e përpunuar në formë çokollate, armën dhe sendet e tjera të sekuestruara. Vlera monetare e 14 litrave vaj hashashi është e konsiderueshme. Policia, në njoftimin e saj zyrtar bën të ditur se në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, pas një pune të mirëorganizuar, bazuar në informacionet e grumbulluara gjatë periudhës hetimore dymujore, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Rrjeta” duke goditur kështu të dyshuarit si grup kriminal që ushtronin veprimtarinë e tyre në fushën e narkotikëve.

Të arrestuarit sipas Policisë janë kapur gjatë operacionit, në Postribë, në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike. Policia thotë se nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Shtetasit e arrestuar dyshohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

SASIA E DROGËS DO TRANSPORTOHEJ DREJT TIRANËS

Sipas burimeve nga Policia vendore e Shkodrës sasia e 14 litrave vaj hashashi, e cila ishte e vendosur në shishe plastike që u sekuestrua nga Policia si destinacion kishte kryeqytetin, Tiranën.

Tre muajt e fundit Policia kishte informacione të mjaftueshme të mundësisë së trafikimit të vajit të hashashit, ndaj edhe nisi një hetim duke ndjekur në distancë personat që u arrestuan dhe po ashtu duke i vënë në përgjim. Po ashtu, mësohet se agjentët e Policisë të kamufluar si trafikantë të drogës dhe të interesuar për ta blerë atë kanë rënë në kontakt me shtetasit e arrestuar duke arritur që ta finalizojnë me sukses këtë operacion. Mendohet se numri i personave të përfshirë në prodhimin e vajit të hashashit dhe trafikimin e tij të jetë më i madh se kaq ndërsa efektivët vijojnë hetimet për të zbardhur edhe emra të tjerë si të përfshirë në Shkodër dhe Tiranë.

Vaji i hashashit është një lloj droge jo edhe aq e përhapur në Shqipëri ndaj kjo sasi e kapur nga policia e Shkodrës është ndër më të konsiderueshmet në vend vitet e fundit. Në momentin e ndalimit, shtetasit e dyshuar nuk kanë bërë rezistencë duke iu bindur Policisë, e cila kishte mirëmenduar këtë operacion duke mos i lënë asnjë mundësi atyre që të largohen në drejtim të paditur. Tashmë pritet që katër të arrestuarit të dalin përpara Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër për t’u njohur me masën e sigurisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu