Katër raste të kafshimit nga gjarpërinjtë në Gramsh. Flet mjekja Ediola Miraka

0

Rikthehen rastet e kafshimit nga gjarpërinjtë dhe pickimet nga insektet në Gramsh. Me ngrohjen e motit dhe ardhjes së stinës së verës, numri I pacientëve që paraqiten në spital është shtuar ndjeshëm.

Kështu, sipas mjekes Ediola Miraka, vetëm gjatë ditëve të fundit janë paraqitur katër raste të pacientëve të kafshuar nga gjarpri, ndërsa ka mjaft raste të tjera kur pickimet nga insektet kanë shkaktuar ose helmime, ose reaksione të organizmit nga alergjia.

Doktoreshë Ediola Miraka shprehet se rastet e paraqitura janë kryesisht nga fshatrat përreth Gramshit, të ndodhura gjatë ushqyerjes së bagëtive në male, apo edhe nga punët e përditshme në bujqësi.

Ajo pohon se të gjitha rastet deri më tani janë trajtuar në kirurgjinë e spitalit të Gramshit dhe vetëm nëse ka raste të rënda, atëherë nisen drejt spitalit rajonal në Elbasan.

“rastet e paraqitura janë trajtuar nga spitali ynë dhe të gjithë janë shëruar. Por tërheqim vëmendjen se pacientët duhet të paraqiten menjëherë në spital e mos vonohen duke aplikuar metoda tradicionale që, në vend që ta shërojnë, shpesh e rëndojnë gjendjen e pacientit”, shprehet ajo.

Gjatë vitit të kaluar në Gramsh u regjistruan 15 raste të kafshimit nga gjarpërinjtë helmues.

Rasti më kurajoz në Gramsh mbetet ai i infermieres Ruzhdie Xheka nga Njësia Administrative Tunjë e cila para dy vjetësh shpëtoi jetën e 15 vjeçarit Ledio Dollani që u kafshua nga gjarpëri e nuk kishte kohë që të shkonte në spital. Falë ndërhyrjes së saj dhe mjekes së qendrës shëndetësore, 15-vjeçari shpëtoi nga vdekja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu