Kokainë e holluar në kutitë me lëng frutash, nis gjyqi në Belgjikë për grupin kriminal shqiptar dhe “kimistët” kolumbianë! Mesazhet në “SKY ECC” zbuluan gjithçka

0

Ditën e sotme (8 prill) në gjykatën Penale të Brukselit ka nisur gjyqi për 40 persona për një çështje të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Hetimi filloi në shtator të 2020-ës pas zbulimit të disa kilogramëve kanabis dhe një sasi të madhe acetoni në një kuti garazhi në rajonin e Brukselit.

Çështja mori një tjetër rrjedhë hetimi pasi dolën të dhëna të reja nga infiltrimi dhe deshifrimi i mesazheve në aplikacionin “SKY ECC”.

Aplikacioni i mesazheve u përdor nga kriminelët për të komunikuar fshehurazi. Falë deshifrimit të komunikimeve, policia mundi të identifikonte kontaktet në disa vende të Amerikës së Jugut, të specifikonte modus operandi të trafikantëve dhe të detajonte strukturën e organizatës.

Rrjeti kriminal, drejtues i të cilit janë të pandehurit e kombësisë shqiptare A.H, I.K dhe A.I, dyshohet se ka importuar disa ton kokainë, veçanërisht nëpërmjet portit të Antëerpen. Mediat belge shkruajnë se droga ishte e fshehur në mallra të ligjshme si lëngje frutash. Hetimet çuan veçanërisht në sekuestrimin e një fuçie me lëng, në të cilën ishte holluar ekuivalenti i 600 kilogramëve kokainë.

Kokaina e holluar në kuti me lëng frutash
Trafikantët përdorën teknikën e hollimit ose ngopjes së drogës në produkte në dukje të padëmshme për të anashkaluar më lehtë kontrollet policore dhe doganore. Anëtarët në shkallën e poshtme të organizatës, të mbiquajtur “kuzhinierë” ose “kimistë”, ishin atëherë përgjegjës për nxjerrjen e kokainës nga mallrat në laboratorët klandestinë. Për t’i dhënë lëndës narkotike formën e tyre të shitjes në tregun ilegal, ata përdorën kimikate, si aceton. Hetimet bënë të mundur identifikimin e të dyshuarve kolumbianë, të sjellë në Belgjikë për të kryer punën e nxjerrjes.

Hetimi i kryer nga divizioni i kërkimit i policisë gjyqësore federale në Bruksel, nën drejtimin e një gjyqtari hetues dhe të prokurorisë federale, u shtri në disa vende evropiane. Më 15 shkurt 2022, në Belgjikë u kryen afro 50 kontrolle. Gjashtëdhjetë të tjera u zhvilluan njëkohësisht në Spanjë, Itali, Gjermani, Kroaci dhe Holandë.

Të dyshuarit, disa prej të cilëve janë ende në kërkim, do të gjykohen në Bruksel për shkelje të legjislacionit të drogës, zhvatje, vjedhje, falsifikim, pastrim parash dhe shkelje të legjislacionit për armët.

Një rrjet kriminal shqiptar dhe “kimistë” kolumbianë
Disa persona të proceduar në këtë rast tashmë janë dënuar në të kaluarën për trafik droge. Nga ana tjetër, një kolumbian po gjykohet për momentin edhe për çështjen “Encro”, çështja më e madhe e trafikut të drogës që është trajtuar ndonjëherë në Belgjikë.

Në një intervistë dhënë për “Moustique. LaLibre” në fund të muajit mars dhe raportuar nga shtypi shqiptar, avokatja Nathalie Gallant ka analizuar gjyqin që hapet këtë 8 prill nën dritën e aferës “Encro”.

“Do të ketë një tjetër organizatë kriminale shqiptare, e cila ka disa mbivendosje me Encro-n pasi në mënyrë të veçantë njëri apo tjetri është i akuzuar në të dy proceset”, vuri në dukje avokatja që mbron në dy rastet e dyshuar si drejtues të një organizate kriminale.

Nathalie Gallant shtoi se, në kuadrin e çështjes së gjykuar nga kjo e hënë, “duket se kemi ende lidhje në nivele shumë më të larta përsa i përket kontakteve politike në Shqipëri dhe riinvestimit të përfitimeve të mundshme pasurore që vijnë nga aktivitete të paligjshme”.
Skedari u kodua me emrin “BlackEagle”. Gjyqi pritet të zgjasë disa javë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu