Kompania Pfizer siguron: Vaksina është efikase edhe 6 muaj pas imunizimit

0

Një lajm i mirë ka ardhur nga kompania Pfizer, e cila në bashkëpunim me kompaninë BioNTech po luftojnë kundër Covid-19. Mësohet se vaksinat në bashkëpunim, parandalojnë 91 për qind të rasteve me koronavirus gjashtë muaj pasi personat imunizohen me këtë vaksinë.

Një studim i fundit, tregon se edhe personat 80-90 vjeç prodhojnë nivele të larta të antitrupave, pasi marrin dy dozat e kësaj vaksine. Megjithatë, sipas gjetjeve të këtij studimi, vetëm 63 për qind prej tyre prodhojnë qelizat T, që ndihmojnë që antitrupat e krijuar të qëndrojnë për një kohë të gjatë.

Por, kompanitë në fjalë, ende nuk e dinë saktë se për sa kohë njerëzit janë të mbrojtur nga COVID-19 pasi të kenë marrë të dy dozat e vaksinës.

Vaksina e Pfizerit është thënë se është mbi 95 për qind efektive ndaj sëmundjes COVID-19. Pfizer tha se ka analizuar të dhënat e 46.000 njerëzve që kishin marr pjesë në studimet klinike, pikërisht gjashtë muaj pasi ata kishin marr dozën e dytë të vaksinës.

Gjithashtu, 800 pjesëmarrës në këtë studim ishin nga Afrika e Jugut dhe kompania Pfizer tha se vaksina ishte njëjtë e efektshme ndaj variantit të koronavirusit që është zbuluar në këtë shtet, pavarësisht se studimet laboratorike sugjerojnë se antitrupat që krijojnë personat ishin më pak efektive për të luftuar variantin e Afrikës së Jugut, që thuhet se është më ngjitës.

“Efikasiteti i lartë i vaksinës që është parë pas gjashtë muajsh nga doza e dytë edhe ndaj variantit të Afrikës së Jugut na jep besim më të madh ndaj efikasitetit të përgjithshëm të vaksinës sonë”, tha shefi i Pfizerit, Albert Bourla.

Ndërkaq, një studim i kryer nga Universiteti i Birminghamit, ka vëzhguar se çfarë ndodh në sistemin imunitar të personave të moshuar, nga 80 deri 96 vjeç, pasi marrin vaksinën. Në gjakun e tyre, sipas këtij studimi, është parë nivel i lartë i antitrupave, që janë në gjendje të neutralizojnë variantin fillestar të COVID-19.

Por, studimi gjeti se ndaj variantit të COVID-19 të identifikuar në Brazil, antitrupat ishin 14 herë më pak efektive. Studime të ngjashme, si kjo e Pfizer/BioNTech po kryhen edhe nga prodhues të tjerë të vaksinave kundër koronavirusit, përfshirë edhe kompaninë britanike AstraZeneca. Por, këto kompani ende nuk kanë publikuar gjetjet e tyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu