KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren e Tiranës, Rezarta Balliu

0

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra ditën e sotme gjyqtaren e Tiranës, Rezarta Balliu, seanca për të cilën u mbajt në datë 1 korrik.

Seanca që u zhvillua pasditen e të mërkurës zgjati mbi 2 orë e gjysëm dhe gjatë saj kryesuesja e trupës Genta Tafa (Bungo) dhe gjyqtarja debatuan gjatë mbi disa gjetje dhe mënyrën se si ishin kuptuar ato prej subjektit.

Nga ana tjetër, vëzhguesi ndërkombëtar Gerrit Sprenger po ashtu i bëri gjyqtares disa pyetje në lidhje me shitjen prej bashkëshortit të saj të një apartamenti për 8.8 milionë lekë, te nëna e saj.

Rikujtojmë se bashkëshorti i Rezarta Balliut, gjyqtari Arjan Balliu po ashtu u shkarkua nga vetingu pasi nuk justifikonte pasurinë e tij. Njësoj si bashkëshorti, i shkarkuar për kontrata fiktive dhe probleme të pasurisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se e kishte hetuar Balliun vetëm në një kriter.

Gjithsesi, gjyqtarja Balliu kundërshtoi gjetjet e Komisionit, që e nxirrnin atë me bilance negative në një sërë transaksionesh.

Rezarta Balliu (Vigani) e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe e ushtronte funksionin prej dy dekadash në Gjykatën e Rrethit të Tiranës.

Njoftimi:

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 1.7.2021, për subjektin e rivlerësimit, znj. Rezarta Balliu (Vigani) bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, në datën 7.7.2021, vendosi:

Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Rezarta Balliu (Vigani), gjyqtare pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Genta Tafa Bungo, znj. Suela Zhegu relatore dhe z. Olsi Komici anëtar, do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.

Ky vendim mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu