Kush e tradhtoi Nuredin Dumanin? Si u zbulua me saktësi ish-krahu i djathtë i Talo Çelës

0

Nuredin Dumani u tradhtua nga njerëz shumë pranë tij. 37-vjeçari i cili u arrestua në Fier brenda apartamentit të tij nga Forcat RENEA ishte kujdesur prej kohësh që askush të mos zbulonte identitetin e tij. Me një maskim, ndryshim të modelit të flokëve dhe veshjes, Dumani bashkëjetonte me një vajzë nga Kosova, e cila është shoqëruar tashmë në Polici dhe pritet që të përballet me akuzën “Moskallëzim krimi”. Identiteti i vajzës nga Kosova nuk dihet, por për hetuesit ajo nuk është një person i dyshuar për pjesëmarrje aktive në veprat

Një burim i mirëinformuar tha se Dumani u nxorr në pritë. Ai u dërgua në Papër të Elbasanit pas një sinjali se atje ndodhej “armiku” i tij, Talo Çela. Çela dhe Dumani janë prej gati 2 vitesh në një armiqësi të përbetuar që ka nisur pas vrasjes së mikut të ngushtë të Nuredin Dumanit, Klevis Kapllanaj. Vrasja e Kapllanajt solli ndarjen e dy të fortëve të Elbasanit, dhe që nga 17 shtatori i 2020-ës kur në Elbasan u vra vëllai taksist i Talo Çelës, Bujar Çela, të dy nuk i bashkon më asgjë. Dumani akuzon Çelën si të përfshirë në vrasjen e shokut të tij dhe në shenjë armiqësie dyshohet se i vrau të vëllain.

Nga këtu ka nisur një betejë përplasjesh ku të dy janë vënë në përndjekje të njëri tjetrit si “macja me miun”. I pari që gaboi duket se është Dumani, i cili është gënjyer nga persona të afërt të tij dhe është nisur për të realizuar një atentat ndaj Talo Çelës. Para kësaj, Dumani kishte në plan të ekzekutonte një tjetër person të afërt të Çelës, por pas vënies në dijeni nga të “afërmit” se Çela ishte shumë afër dhe mund të goditej, shënjestra ndryshoi.

Por në fakt, e gjitha ka qenë një kurth i organizuar nga grupi i Çelës. Në një saktësi të admirueshme, të dyja palët u përballën me njëri-tjetrin në aksin Elbasan-Cërrik, në vendin e njohur si Papër, ku Nuredin Dumani mori një plumb në shtyllën kurrizore, që i ka depërtuar në mushkëri. Gjendja e Dumanit vazhdon të jetë kritike, pasi ende nuk i është nënshtruar ndërhyrjes mjekësore për shkak të komplikacionit që sjell një operacion në këtë pjesë të trupit.

Si u kap “miku” Talo Çelës? I zënë në pritë, Nuredin Dumani u largua i plagosur drejt Fierit. Atje dyshohet se mori një ndihmë mjekësore amatore për ti shpëtuar vdekjes, ndërsa qendroi për disa orë në apartamentin e marrë me qira prej disa ditësh në lagjen Apolonia në Fier. Këtu nis edhe paqartësia e arrestimit të tij. Forcat RENEA shkuan me saktësi në hyrjen ku jetonte Dumani me bashkëjetuesen, ku në media flitet për një telefonatë anonime që sinjalizoi Policinë se ku ndodhej një nga personat më të rrezikshëm në Shqipëri, i akuzuar për mbi 7 vrasje, përfshirë këtu edhe ekzekutimin e bujshëm të dy vëllezërve Haxhia në Durrës, vrasje që besohet se ka si arsye vjedhjen e milionave që u vodhën në Rinas në prill të 2019-ës. Por burimi nga grupi hetimor tha se telefonata anonime erdhi nga shumë pranë Dumanit. Saktësia e vendodhjes përfshirë pallatin, numrin e apartamentit dhe katin, nuk mund të dihej nga persona të tjerë përveç atyre që ishin pranë tij.

Policia e gjeti Dumanin me shpejtësi pasi informacioni i gjetur ishte i saktë. Strofkulla u zbulua, ndërsa Talo Çela ka “avulluar”. Policia dyshon se ai ishte personi që e qëlloi Dumanin në pritën e ngritur në Papër, pas spiunimit që persona të afërt me të i bënë për planin që Dumani kishte organizuar për ta vrarë. “Një mish për top, grupi i Çelës ia doli në mos ta vrasë të paktën ta heqë nga terreni. Talo doli më i fortë, nuk pati spiuna në folenë e tij”-thotë burimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu