Letër për respektimin e orarit të qetësisë në një pallat në Elbasan

0

Një letër e thjeshtë, e ngjitur me shirit ngjitës në derën e pallatit, ka kthyer vëmendjen e banorëve (dhe jo vetëm) për mënyrën se si i thotë gjërat troç, me edukatë, por pa dorashka.

Në mesazh, banorëve u kërkohet të respektojnë orarin e qetësisë në orët e hershme të mëngjesit, pasi rreth orës 07:00 është krijuar një zhurmë e fortë që ka shqetësuar të gjithë pallatin. Pa hyrë në detaje se çfarë e shkaktoi “alarmimin” matinal, letra sugjeron që aktivitete të tilla të kryhen në orare më të përshtatshme gjatë ditës.

Me një ton korrekt dhe fund klasik, “faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, mesazhi ka bërë punën e vet: ka rikthyer debatin e përhershëm të jetës në pallat, ku ora 07:00 për disa është fillim dite, ndërsa për të tjerët… ende natë.

Një gjë është e sigurt: zhurma u ndal, por letra vazhdon të bëjë xhiron e saj, si kujtesë se bashkëjetesa urbane kërkon më shumë se mure të përbashkëta, kërkon edhe pak qetësi, sidomos para kafes së parë.