LIBRAZHD – Strukturat e Policisë së Librazhdit, në zbatim të planit operacional “Koordinata”, kanë intensifikuar kontrollet në terren, duke përdorur shërbime të shtuara dhe dronë, për të evidentuar dhe goditur tentativat për kultivim të bimëve narkotike.
Si rezultat i hetimeve me metoda proaktive dhe kontrolleve në territor, u godit një rast në fshatin Spathar, ku u konstatuan 150 fidanë narkotikë të dyshuar Cannabis Sativa, të cilët u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Për këtë rast, u arrestua shtetasi J. R., i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, u procedua penalisht në gjendje të lirë kryetari i fshatit Spathar, shtetasi N. Xh., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrollet për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike vijojnë me intensitet në të gjithë territorin e rrethit të Librazhdit.
Materialet procedurale në lidhje me rastin iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme hetimore.