Lojërat Olimpike në Tokio. Rama i dorëzon flamurin kombëtar sportistëve shqiptarë

0

Sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike kanë marrë sot në dorëzim flamurin kombëtar kuq e zi nga kryeministri Edi Rama, ndërsa do të nisen për në Tokio.

Për këtë u organizua një ceremoni në Pallatin e Brigadave. Kreu i qeverisë zgjodhi që flamurin t’ia dorëzonte dy sportistëve të njohur të përfaqësueses shqiptare, atletes Luiza Gega si dhe peshëngritësit Briken Çalja, ceremoni që u shoqërua edhe me himnin kombëtar. Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Rama deklaroi se fokus në mandatin e tretë të kësaj qeverisje është një program specifik për sportin dhe krijimi i lëvizjes olimpike.

Teksa vlerësoi zgjedhjen e Fidel Yllit në krye të Komisionit Olimpik, Rama theksoi se ka ende punë për t’u bërë në këtë drejtim.

“Emocion i veçantë pasi është viti i Olimpiadës. Siç e ka thënë dhe krijuesi i Lojërave Olimpike, më e rëndësishmja është të marrësh pjesë. Më vjen mirë që në këtë vigjilje jo të lehtë të Olimpiadës së Tokios, për shkak të situatës së jashtëzakonshme të krijuar si pasojë e pandemisë, është bërë një përgatitje ndjeshëm më e mirë se sa çdo herë tjetër. Kjo i dedikohet kryetarit të Komitetit Olipmik, i cili e jeton sportin me një pasion dhe ambicie që e ka karakterizuar në moshë të re, ku ishte kampion kombëtar për vite të tëra.

Më vjen mirë që kemi pasur mundësinë të jemi pranë Komitetet Olimpik dhe pranë këtyre sportistëve me aq sa kemi mundur dhe falë përfshirjes së drejtpërdrejtë të Bashkisë së Tiranës, është bërë e mundur një trajtim dinjitoz i të gjithë anëtarëve të këtij misioni. Edhe pse nuk diskutohet se e mira s’ka fund. Kemi plotë gjëra për të përmirësuar. Dua të them se e kam pritur me shumë kënaqësi lajmin e zgjedhjes së Fidelit si kryetar i Komitetit Olimpik, pasi nuk kemi arritur dot për vite të tëra që ta motivojmë komitetin për të qenë në lartësinë e vetë. Misioni i tij është që t’i qëndrojë pranë sportistëve elitarë. Misioni themelor i këtij komiteti është krijimi i lëvizjes olimpike. S’mund të ketë lëvizje olimpike pa ngërthyer të energjive dhe forcave, mes qeverisë dhe bashkive. Duke nisur nga fëmijët, gjimnazet dhe me universitetet.

Rezultatet të jenë motiv që të krijohen arsye që partneriteti ynë të forcohet më tej. Uroj shumë që t’ia dilni në realizimin e objektivave, sido që të jetë rezultati e keni kryer detyrën dhe misionin.”, tha Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu