Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi zhvilluar me Këshillin e Agrobiznesit shqiptar, ka nënshkruar dhe një marrëveshje bashkëpunimi.
Basha u shpreh se ky sektor ka bërë hapa pas dhe se nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga qeveria.
Gjatë këtij takimi kryedemokrati tha se ky sektor ka një potencial të vërtetë duke shtuar se janë një pjesë e pandarë e ekonomisë shqiptare.
“Programi ynë nuk vjen si rezultat i dy muajve punë para fushate, por ka nisur vite më parë. Jam i nderuar të ndaj faktin se programi është produkt i ekspertëve më të mirë të fushës. Synimi ynë në fund të fundit mbetet anëtarësimi në BE dhe se ky anëtarësim do ti mundësojë këtij sektori një mbështetje që i ka munguar apo që është i keqpërdorur”, tha Basha.
Më tej ai theksoi se Shqipëria nuk mund të ecë drejt BE-së pa bërë të mundur ndryshimin, ndërsa theksoi se kjo është përgjegjësi e një force politike që kërkon t’i shërbejë shqiptarëve.
“Dita kur mundësia për ndryshim paraqitet është 25 prilli dhe instrumenti i vetëm për ndryshim është vota. Me këtë nënshkrim të marrëveshjes unë kam një ftesë, një thirrje që të merrni përgjegjësitë me votë në 25 prill. Përmasat e dëshirës për ndryshim janë kombëtare. Sot secili ka përgjegjësinë ta tregojë atë me votë”, tha më tej kreu i PD-së Lulzim Basha, ndërsa shtoi që pas 25 prill do të themelohet një politikë e re.
Basha ritheksoi sërish, se nëse premtimet e dhëna nuk do të mbahet nga ai dhe qeveria e tij, atëherë nuk do të kërkojë sërish votën e qytetarëve shqiptarë.