Me incenerator, por pa kosha: Kostot e shtrenjta nuk e shpëtuan Elbasanin nga plehrat

0

Banorët e bashkisë së Elbasanit ankohen për mungesë koshash dhe shërbim të keq të pastrimit në lagjet periferike dhe zonat rurale – ndonëse janë harxhuar miliona euro për ndërtimin e inceneratorit dhe për tenderat e diskutueshëm të pastrimit.

Bardha Nergjoni/Dallendyshe Xhaferri në Elbasan

Lagjia Shegune në periferi të Elbasanit nuk e njeh shërbimin e pastrimit. E krijuar në 30 vitet e fundit me banorë të ardhur kryesisht nga fshati Godolesh, zona ka zhvilluar bizneset e saj dhe i paguan rregullisht taksat, por pirgjet e mbeturinave flaken ende në përrua.

“Gjendjen e shihni vetë, s’ka nevojë për koment,” thotë Behar Halili, pronar i një lokali në lagjen Shegune.

“Unë kam një lokal, paguaj taksat e bashkisë rregullisht. Asnjë kazan, asnjë mjet nuk vjen këtu të pastrojë dhe banorët detyrohen i hedhin në përrua. Dihet ku do përfundojnë këto mbetje, në qytet e më pas në Shkumbin,” shtoi Halili.

Lagjia Shegune është vetëm një prej zonave të përjashtuara nga harta e shërbimit të pastrimit të Bashkisë së Elbasanit.

Të dhënat e mbledhura nga InfoElbasani përmes pyetësorëve  nga dhjetëra banorë tregojnë konstrastin e shërbimit të pastrimit nga qendra e qytetit drejt periferisë dhe fshatrave, ku ankesat kryesore përmblidhen më së shumti në mungesën e koshave ose gjendjen e keqe të tyre, pastrimin sporadik nga bashkia dhe sjelljen e vetë qytetarëve, që i hedhin plehrat nga të munden.

Rreth 71% e banorëve që morën pjesë në anketim e vlerësojnë me notën keq cilësinë e pastrimit të mbetjeve urbane, 26% e konsiderojnë atë në nivel mesatar dhe vetëm gati 3% e vlerësojnë si të mirë. Një numër më i lartë të anketuarish, rreth 79% ngarkojnë me përgjegjësi Bashkinë, ndërsa pjesa tjetër e ndajnë përgjegjësinë mes kompanisë së pastrimit dhe qytetarëve.

Abdulla Muça, kryetar i lagjes Shegune thotë se situata ka përfunduar në këtë gjendje nga mungesa e vëmendjes së institucioneve, por edhe nga vetë banorët.

“Së pari janë vetë banorët që tregohen të papërgjegjshëm. Ne kemi shumë mbetje dhe gjendja është kritike, sidomos tani që është edhe sezoni i verës,” tha Muça, ndërsa shtoi se pavarësisht kërkesave për kosha, nuk ishte bërë ndonjë gjë.

“Për mendimin tim, banorët ose t’i groposin ose t’i djegin, ndryshe do të shpërthejë ndonjë pandemi më e keqe se Covidi,” shtoi ai.

Zyrtarë të Bashkisë së Elbasanit pranojnë problemet me pastrimin, por synojnë t’i zgjidhin ato përmes një task-force.

“Dimë që situata deri diku ka precipituar. Ne si bashki po bëjmë gati 10 ditë që kemi ngritur një task-forcë mjedisi për evidentimin e këtyre mbetjeve urbane apo inerteve. Edhe për disiplinimin e qytetarëve dhe bizneseve,” tha për InfoElbasanin Klinsi Lala, drejtor i Shërbimeve Publike në Bashki.
“Kemi filluar aksionin me një plan konkret. I evidentojmë dhe ndërhyjmë nëpërmjet punonjësve tanë duke pastruar,” shtoi ai.

Miliona euro shpenzime, por mungojnë koshat

Qeveria shqiptare e ka paguar shtrenjtë menaxhimin e mbetjeve urbane në qarkun e Elbasanit, pasi vendosi në dhjetor të vitit 2014 që të financonte koncesionin e parë për ndërtimin e një inceneratori me një vlerë prej 21.6 milionë eurosh.

Paralelisht, edhe Bashkia e Elbasanit paguan fatura të kripura për pastrimin e mbetjeve nga rrugët dhe lagjet e zonave administrative ; në katër vite përgjatë periudhës 2016-2019 janë shpenzuar 377,8 milionë lekë ose rreth 3 milionë euro, sipas planit vendor të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Në Elbasan, shërbimi i pastrimit realizohet përmes dy metodave; në lagjet kryesore të qytetit kontraktohet një kompani private, ndërsa për njësitë administrative të fshatrave, pastrimi kryhet nga vetë Bashkia. Pavarësisht diferencave në cilësinë e shërbimit të pastrimit, si familjet në qytet ashtu edhe ato në fshat paguajnë të njëjtën tarifë prej 1 mijë lekësh në vit.

Njësoj si banorët e lagjes Shegune, edhe ata të Mëhallës së Madhe në lagjen “Skënderbej” ankohen se nuk kanë kosha të mjaftueshëm për të hedhur mbeturinat e tyre. Banorët shprehen njëzëri për mungesat e theksuara të shërbimeve publike – përfshi edhe atë të pastrimit.

“Mungojnë të gjitha: rrugë, ndriçim, kosha. As i sen nuk ka këtu ku jetojmë ne,” tha njëri prej banorëve në kushtet e anonimatit. “Janë ankuar njerëzit atje [për koshat] por nuk kemi asnjë investim, duke na braktisur në fatin tonë,” shtoi ai.

InfoElbasani mori raportime për mungesë koshash edhe nga fshati Shënvlash, nga disa lagje të qytetit të Elbasanit si dhe nga Xibraka.

Të pyetur për mungesën e koshave në qytet dhe nëpër fshatra, Bashkia e Elbasanit u përgjigj vetëm pas një ankese te Komisioneri për të Drejtën e Informimit se kishte shpërndarë 265 kontejnerë në zonat rurale dhe kishte planifikuar edhe 700 kontejnerë të tjerë si pjesë e kontratës së sipërmarrjes. Ajo nuk specifikoi nëse kontejnerët ishin vendosur apo jo në rrugët e qytetit. Bashkia pranoi gjithashtu se shërbimi i pastrimit shtrihej në 80% të territorit të saj.

“Njësitë e Funarit, Gracenit, Labinot Mal dhe Zavalinës nuk mbulohen për shkak të mungesës së infrastrukturës,” tha Bashkia, duke shtuar se në këto zona nuk mblidhej tarifë pastrimi.

Pikëpyetjet mbi tenderin e pastrimit

Zonat rurale të Elbasanit, nuk janë të vetmet që vuajnë mangësitë e shërbimit të pastrimit. Sipas planit vendor të menaxhimit të integruar të mbetjeve për vitet 2019-2024, i hartuar nga Bashkia e Elbasanit me ndihmën e ekspertëve, edhe menaxhimi i gjashtë lagjeve të qytetit përmes një kontrate të vetme nuk ka sjellë rezultatet e dëshiruara.

“Sipërfaqja e zonës së kontratës nuk mbulon të gjithë territorin urban me shërbime. Aktualisht, kontrata zë rreth 1500 ha të territorit urban të qytetit,”thuhet në planin vendor, i cili e orienton bashkinë që të zhvillojë procedura tenderimi për çdo zonë dhe jo një kontratë të përbashkët.

Pavarësisht planit të miratuar, Bashkia e Elbasanit çeli më 10 mars 2021 tenderin për “kryerjen e shërbimit të pastrimit” me fond limit prej 109.9 milionë lekësh [rreth 890 mijë euro]. Një javë më vonë, kompania “Alko Impex Construction” paraqiti ankim ndaj Bashkisë së Elbasanit për kritere diskriminuese në garë.

Vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik zbulon se tenderi i ri për pastrimin e qytetit të Elbasanit parashikon heqjen e 57 ton mbetjeve në ditë nga kontejnerët dhe 8 ton të tjera direkt nga qytetarët.

Bashkia ka vendosur gjithashtu si kritere për kompanitë garuese pasjen e 90 punonjësve të siguruar (11 shoferë dhe minimalisht 70 punonjës të pastrimit) si dhe vendosjen e 700 kontejnerëve të rinj të zinkuar në zonën e kontratës.

Gjithashtu, Bashkia ka parashikuar që të aplikojë si projekt pilot në pesë rrugë të qytetit ndarjen në burim të mbetjeve.

Në ankimin e saj në KPP, kompania “Alko Impex Construction” me pronar Arbër Abazin pretendon se kriteret për 90 punonjës të siguruar dhe 700 kontejnerë janë të paargumentuara dhe diskriminuese për operatorët ekonomike.

Komisioni i Prokurimit Publik i ka dhënë të drejtë ankimit, ndërsa thekson se Autoriteti Publik nuk ka parashtruar argumente teknike për të parashtruar kërkesën për disponimin e 700 kontejnerëve dhe nuk ka bërë publike hartën e shpërndarjes së tyre.

“Dokumentet e tenderit dhe kriteret për kualifikim duhet të hartohen… në mënyrë të tillë që të nxisin pjesëmarrjen dhe konkurrencën e operatorëve ekonomikë, si dhe të sigurojnë një trajtim të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë,” shtohet në vendim.

Pas dështimit të tenderit, Bashkia e Elbasanit e zgjati kontratën edhe për tre muaj të tjerë me kompaninë që ka fituar historikisht tenderat e pastrimit në këtë bashki, “Victoria Invest”. I pyetur për arsyet e zgjatjes së kontratës, kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu