“Më mori nga dentisja”, zbardhet dëshmia e 13-vjeçares që u sulmua seksualisht nga polici

0

Është zbardhur dëshmia e 13-vjeçares e cila u sulmua seksualisht nga polici Kol Kola në Lezhë. Sipas dëshmisë, ngjarja ka ndodhur më 29 Prill, kur e mitura ndodhej në radhë për të hyrë te dentistja.

13-vjeçarja ka treguar se ishte duke pritur jashtë klinikës pasi brenda kishte pacientë. Në këtë moment i është afruar polici 62-vjeçar i cili i ka thënë se ndaj saj kishte një denoncim dhe për këtë ajo duhej të shkonte me të në komisariat.

“Pranë meje u afrua një punonjës policie. Ai më tha se ndaj meje kishte pasur një denoncim dhe duhet të më shoqëronte për në komisariat për verifikim. Duke i besuar policit, u futa brenda klinikës dentare dhe i kërkova dentistes që të më shtynte orarin,” është shprehur vajza.

Në momentin që ka hyrë në automjet, e mitura ka parë në xhamin e makinës mjetin e identifikimit të policit dhe i ka memorizuar emrin. Pas kësaj, 13-vjeçarja është shprehur se Kol Kola nuk ka ndaluar para komisariatit, por para një pallati, ku i ka kërkuar që ta ndjekë nga pas.

Pasi hyri në banesë, e mitura tregon se polici ka kryer veprime të turpshme dhe ka tentuar të abuzojë seksualisht me të, por ka mundur t’i shpëtojë. Me të mbërritur në shtëpi, e mitura i ka treguar çdo gjë prindërve, të cilët së bashku kanë shkuar në komisariat për të bërë denoncimin.

Pas kësaj, policia ka sekuestruar kamerat e bizneseve të pallatit dhe aty është është vërtetuar dëshmia e të miturës, ndërsa gjithashtu dentistja e klinikës ka konfirmuar se e mitura i kishte thënë se po largohej.

Ndërkohë nga kamerat e sigurisë është zbuluar se e mitura ka qëndruar brenda në banesë për rreth 6 minuta. Kujtojmë se ditën e nesërme, Kol Kola do të dalë para gjykatës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu