MESAZH I PRESIDENTIT TE REPUBLIKES SH.T.Z ILIR META

0

MESAZH I PRESIDENTIT TE REPUBLIKES SH.T.Z ILIR META

TË MBROJMË ZGJEDHJET, TË MBROJMË PLURALIZMIN, TË MBROJMË DEMOKRACINË!
DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR në: www.president.al ose www.president.al/denonco/

Të nderuar qytetarë,

Nga sot na ndajnë vetëm 30 ditë nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021.
Për këtë arsye dua të ndaj me Ju nismën time “DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR”, ku çdo qytetar mund të denoncojë dhe të demaskojë çdo veprim, që përbën shkelje të së drejtës themelore të votës apo që dëmton procesin zgjedhor!

Krimi zgjedhor, godet dhe shtrembëron vullnetin e zgjedhësit, instalon autokracinë dhe rrezikon demokracinë, duke përdhosur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të drejtat, liritë dhe vlerat universale, që mbrohen prej saj.

Rreziku i shit-blerjes së votës është i pranishëm dhe kërcënues.

Prandaj të gjithë bashkë, ne duhet të jemi barrikadë për të ndalur një herë e mirë, këto veprime të shëmtuara dhe të papranueshme për një vend demokratik!

Demokracia merr kuptim vetëm nëse qytetarët, mbrojnë të drejtat e tyre duke refuzuar e denoncuar çdo përpjekje, që shtrembëron vullnetin e tyre në zgjedhje.

Ne duhet denoncojmë hapur dhe pa hezitim çdo krim zgjedhor.

Për këtë arsye kam vendosur t’i jap udhë një nisme, që synon realizimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe sipas standardeve europiane; për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore kushtetuese ku përfshihet e drejta e votës së lirë.

Për këtë qëllim kam zgjedhur si bashkëpunëtor kryesor qytetarët e Shqipërisë, unitetin e të cilëve, përfaqësoj, pasi ky proces zgjedhor është i një rëndësie mbarëkombëtare.

Që nga sot, kam vendosur t’u vë dispozicion të gjithë qytetarëve një dritare të re të mbrojtjes së votës së lirë me moton, “DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR”.

Kjo dritare shfaqet në faqen e institucionit të Presidentit të Republikës dhe çdokush, mundet të denoncojë çdo fenomen negativ, që ka lidhje me procesin zgjedhor.

I ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të mos hezitojnë, të mos tremben, por me kurajo dhe pa hezitim, të denoncojnë në mënyrë të dokumentuar, me çdo mjet, me zë dhe me figurë, çdo veprim të kundraligjshëm, ku përfshihen :

📌 Çdo lloj veprimi, që përbën kanosje apo dhunim të zgjedhësve, apo subjekteve zgjedhore, apo çdo shkelje, që i bëhet të drejtës së votës së qytetarëve;
📌 Çdo veprim, që synon të pengojë ushtrimin e të drejtave nga subjekteve zgjedhore gjatë këtyre zgjedhjeve;
📌 Të denoncohet çdo falsifikim që mund të tentohet t’i bëhet materialit zgjedhor apo rezultatit të zgjedhjeve;
📌 Të denoncohet çdo veprim, që synon të dëmtojë materialet zgjedhore;
📌 Të denoncohet çdo veprim apo mosveprim, që dhunon votimin e fshehtë;
📌 Të denoncohet çdo përpjekje apo veprim, që synon votimi më shumë se një herë;
📌 Të denoncohet çdo veprim që synon korrupsionin aktiv apo pasiv në zgjedhje;
📌 Të denoncohet çdo tentativë apo përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore;
📌 Të denoncohet çdo lloj veprimi që synon pengimin e zgjedhësit në votime;
📌 Të denoncohet çdo shkelje e së drejtës së zgjedhjes;
📌 Të denoncohet çdo veprim, që synon të tërheqë apo të përdorë në mënyrë të paligjshme dokumenta të identifikimit të personave të tjerë;
📌 Të denoncohet pa hezitim, çdo anëtar i Forcave të Armatosura apo i Policisë së Shtetit, i cili shpërdoron detyrën, duke u angazhuar politikisht, apo duke mbështetur me veprime apo mos veprime një forcë politike.

Denonconi dhe demaskoni çdo gjë, që ju duket e parregullt, e paligjshme, e pamoralshme, që tenton të manipulojë zgjedhësit, zgjedhjet, procesin e votimit, votën e lirë dhe vullnetin e qytetarëve.

E thërras këtë Aleancë me qytetarët, me moton “DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR”, për të sensibilizuar ,mbështetur, nxitur dhe përkrahur drejtpërdrejt çdo qytetar, apo dhe funksionar publik të përgjegjshëm, që të denoncojë cdo veprim të paligjshëm në organin e Prokurosisë, KQZ, dhe tek Presidenti i Republikës, me qëllim që askush të mos i shmanget drejtësisë dhe çdokush të vihet përballë përgjegjësisë sipas ligjit.

Përmes kësaj Aleance, ne bashkë do të garantojmë në mënyrë të padiskutueshme, se kushdo që tenton të prekë votën e lirë, nuk do të ketë shpëtim.

Kushtetuta parashikon se e drejta themelore për të zgjedhur dhe respektimi i parimit të pluralizmit politik, janë bazat e funksionimit të shtetit tonë demokratik dhe secili prej nesh ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë këto parime.

Presidenti i Republiës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e çdo denoncimi, dhe bërjen publike të fakteve që lidhen me ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor.

Vetëm përmes garantimit të ushtrimit të së dejtës themelore të votës dhe realizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme do t’i japim fund krizës së legjitimitetit dhe të përfaqësimit, që ka përfshirë institucionet kryesore të shtetit, do të zhbllokojmë çeljen e negociatave me Bashkimin Europian dhe do të garantojmë se do të qeverisemi sipas vullnetit real të sovranit.

Presidenti i Republikës është i hapur të bashkëpunojë me të gjitha institucionet shtetërore përgjegjëse, shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë ata, që kanë për detyrë mbarëvajtjen apo monitorimin e procesit zgjedhor, për të garantuar se çdo fenomen negativ, që përbën vepër penale, të evidentohet, rregjistrohet dhe të hetohet brenda një afati të arsyeshëm.

Të nderuar qytetarë,

Këto zgjedhje janë të lidhura drejtpërdrejt me të ardhmen tonë europiane dhe kanë një rëndësi mbarëkombëtare.

Unë kam bindjen e palëkundur se do të jemi të gjithë aleatë në këtë mision historik!

Në këtë nisëm të re, ftoj të gjithë shqiptarët për të “DENONCUAR KRIMIN ZGJEDHOR”, nën moton: “Të mbrojmë zgjedhjet, të mbrojmë pluralizmin, të mbrojmë demokracinë!”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu